Lidhje

"Mini Schengeni" ballkanik, mbeten dallimet mes Tiranës e Prishtinës


Mes Tiranës dhe Prishtinës duket se mbeten të hapura divergjencat lidhur me të ashtuquajturin “mini Schengen” ballkanik, nismë e sponsorizuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kosova deri më tani nuk i është bashkangjitur kësaj ideje, madje, pas takimit të radhës në Tiranë, pati kritika të drejtpërdrejta ndaj qeverisë shqiptare.

"Mini Schengeni" ballkanik, mbeten dallimet mes Tiranës e Prishtinës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:15 0:00

Takimi i sotëm në Tiranë mes kryeministrit Edi Rama dhe atij të Kosovës Albin Kurti, në vizitën e tij ë parë zyrtare jashtë vendit të tij, nuk ngjan t’i ketë sheshuar divergjencat. Biseda mes tyre zgjati mbi 30 minuta përtej parashikimit. Në përfundim të saj zoti Kurti, u përpoq të anashkalonte me diplomaci dallimet mes palëve për këtë çështje, duke evituar t’i përgjigjet pyetjes nëse Prishtina do të përfaqësohet në mbledhjen e radhës së kësaj nisme.

Ishte një temë e trajtuar, por shkurtimisht, duke qenë se takimi ynë sot ishte më parë për “makro Shengenin” shqiptar se sa për “mini Schengenin” ballkanik”, deklaroi kryeministri i Kosovës.

Por zoti Rama nga ana e tij, bëri të qartë se nuk ka arsye për të mos e mbështetur këtë ide. “Në këtë pikë kemi një diskutim për të çuar përpara. Besoj se nuk ka “makro Schengen” shqiptar, pa “mini Schengenin” ballkanik. “Makro Schengeni” shqipar, është i lidhur ngushtësisht me Schengenin rajonal sepse, nëse jemi konsistent në vazhdën e procesit të Berlinit dhe jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, atëherë na hapet rruga e mbyllur, prej vitesh, për të patur një hapësirë të përbëshkët mes dy shteteve, për të patur lëvizje të lirë mes nesh, jo vetëm të mallrave e kapitaleve, por dhe të njerëzve, çka deri dje ishte e paimagjinueshme” jo vetëm për shkak të rezistencës, jo vetëm të Serbisë”, deklaroi zoti Rama duke shtuar se “sot është vetëm në dorën tonë sepse këtë rezistencë unë e kam thyer dhe sot na takon të bëjmë më të mirën e të mos humbasim kohë, por t’a çojmë përpara këtë proces, pasi askush, as Serbia e as vendet e tjera nuk na thotë dot se po bëjmë Shqipërinë e madhe, nëse heqim kufirin”.

Të dy kryeministrat kanë rënë dakort ndërkohë, që të “ecim me një shpejtësi të re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat” dhe në fund të muajit mars të organizojnë dhe mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive. “Dua që në këtë dekadë të tretë të shekulit 21, të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit, siç nuk ka qenë kurrë më parë mes dy vendeve”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Të dy vendet kanë firmosur deri më tani 77 marrëveshje bashkëpunimi, por një pjesë e tyre kanë mbetur në letër. Për këtë arsye të dy kryeministrat kanë rënë dakort që të ngrenë një komision të përbashkët ndërshtetëror “për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, për të identifikuar problematikat në zbatimin e tyre e për t’ju drejtuar mbledhjes së qeverive si për arritjet ashtu dhe për nevojat për vendimarrje të tjera”, shpjegoi zoti Rama.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG