Lidhje

Michael Bloomberg, në prag të debatit të parë presidencial


Pasi kapërceu dy votimet e para paraprake presidenciale, miliarderi dhe ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg do të jetë në arenën e debatit zgjedhor për herë të parë të mërkurën në mbrëmje në Las Vegas. Bloombergu ka shpenzuar tashmë qindra miliona dollarë për reklama politike televizive, në radio dhe media sociale, duke rritur njohjen e emrit të tij dhe mbështetjen në sondazhe, mjaftueshëm për t'u kualifikuar në debat. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Redisch na njeh më shumë me strategjinë e shpenzimeve të Bloombergut.

Ish-presidenti Barack Obama nuk ka shprehur mbështetje për asnjë kandidat demokrat por me këtë reklamë televizive Michael Bloomberg po nënkupton se Obama e mbështet atë.

Në përpjekje për të fituar emërimin e partisë demokrate për president, Bloombergu po i përmbyt mediat amerikane me një mori reklamash.

"Ai tashmë ka bërë më shumë reklama sesa disa prej kandidatëve për në zgjedhjet e përgjithshme dhe të gjithë procesin nga viti 2016", thotë John Fortier me Qendrën për Politika Dypartiake.

Ish-kryetari i bashkisë së qytetit të Nju Jorkut dhe titani i lajmeve të biznesit ka shpenzuar më shumë se 300 milion dollarë deri më tani për reklama. Dhe planifikon të shpenzojë 300 milionë të tjera përpara zgjedhjeve paraprake të 3 Marsit. Kjo përbën më pak se një përqind të pasurisë së tij të vlerësuar në 60 miliardë dollarë.

"Nuk mund ta injorosh këtë lloj fuqie shpenzimi", thotë Darrell West në Institutin Brookings.

Llogaritet që Bloombergu të ketë realizuar 185 reklama të ndryshme mbi çështje që fillojnë nga dhuna me armë deri tek picat, dhe si ta hash atë me duar ”

“Kam parë reklamat e tij. Janë reklama të mira ashtu si edhe kandidatët e tjerë që kanë një ton me para dhe i shpenzojnë me budallallëk. Ai nuk duket se po i shpenzon ato me budallallëk. Ai duket se po i shpenzon me zgjuarsi", thotë Jim Kessler.

Reklamat e shumta të Bloombergut e vendosën atë në vendin e tretë në sondazhin e Real Clear Politics të kandidatëve demokratë për presidentë.

Ndërsa Bloombergu ka vërshuar me reklama në TV, radio dhe mediat sociale, ai nuk ka sulmuar demokratët.

Në vend të kësaj, Bloomberg ka vënë në shënjestër vetëm Presidentin Donald Trump me dhjetëra video të prodhuara duke përdorur shpesh fjalët e Presidentit kundër tij.

Bloomberg është zotuar të vazhdojë fushatën e tij të reklamave kundër presidentit Trump, edhe nëse nuk fiton emërimin e partisë demokrate për president.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG