Organizata Gazetarët pa Kufij i kërkoi të premten Kinës të heqë dorë nga vendimi i saj për të dëbuar tre reporterë të gazetës Wall Street Journal në Pekin, hap që u mor pasi autoritetet kineze denoncuan për diskriminim racor një shkrim – opinion të botuar në këtë gazetë me qendër në New York.
Dëbimi i gazetarëve erdhi një ditë pasi qeveria amerikane cilësoi pesë media shtetërore kineze në SHBA si ambasada të huaja, sepse ato punojnë si zëdhënëse të propagandës qeveritare të Kinës.
Kritikët thonë se ky hap i Kinës përbën një shkelje serioze të lirisë së shtypit dhe të fjalës ndërkohë që dërgon një mesazh frikësimi ndaj gazetarëve që ende punojnë atje.
Gjithashtu sipas kritikëve, ky vendim mund të ketë si pasojë dëmtimin e imazhit të Kinës dhe të nxisë ndjenjat anti-kineze në botë.
Dëbimi i tre gazetarëve u njoftua të mërkurën nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Geng Shuang, i cili tha se opinioni i botuar nën titullin "Kina është njeriu vërtetë i sëmurë i Azisë", kishte natyrë "diskriminimi racial”.
Facebook Forum