Lidhje

Koronavirus, autoritetet shqiptare: Gati për çdo skenar


Në Shqipëri, deri më tani nuk është rregjistruar asnjë rast me koronavirus. Të gjithë personat që kanë qenë të dyshuar se mund të ishin prekur, për shkak të shenjave të shfaqura dhe sidomos të faktit që kanë udhëtuar nga Kina apo Italia, kanë rezultuar negativ.

Autoritetet përsëritën sot se janë të përgatitura për të përballuar të gjithë skenarët e mundshëm. “Kemi gati strukturat për përballimin e koronavirusit të ri, për karantinimin e personave të dyshuar, strukturat spitalore për trajtimin e rasteve potenciale si dhe strukturat ku do të zhvendosen shërbimet aktuale, nëse do të jetë e nevojshme. Kemi parashikuar skenarët për çdo situatë, që nga rasti i parë potencial e deri në maksimumin e parashikimit”, tha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë raportimit në Komitetin e Sigurisë Kombëtare.

Në skenarët që ekspertët tanë kanë parashikuar, që me konfirmimin e rastit të parë, ne vëmë në dispozicion strukturat që fillojnë me spitalin Infektiv në QSUT, me një kapacitet 80 shtretërish dhe me një forcë të punonjësve të shëndetësisë, 109 punonjës, të cilët do të jenë të fokusuar për të trajtuar sipas protokolleve më të mira rastet e mundshme. Kemi përcaktuar bokset, dhomat e izolimit, është investuar në të gjitha linjat e oksigjenit në strukturën e Infektivit, për të bërë të mundur transformimin e këtij spitali, nëse do të kalonim në skenaret e tjerë, që do të ishin nga 0 në 100 si dhe 100 deri në 150 raste të prekura”, shpjegoi ministrja.

Gjatë mbledhjes së drejtuar nga kyeministri Edi Rama u bë e ditur se strukturat akomoduese publike të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes në zonën e Durrësit, do të jenë ato që do të përdoren për karantinën. “Me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, është konstatuar përmbushja e të gjitha kushteve dhe garancia për siguri të plotë për të gjithë”, theksoi kryeministri. Ndërsa ministrja Manastirliu shtoi më tej se “janë përcaktuar gjithashtu edhe spitalet e tjera, të cilat do të shndërrohen në spitale për trajtimin e COVID-19 (Koronavirusit), nëse do të jetë e nevojshme”.

Autoritetet përsëritën thirrjen “për të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e urgjencës kombëtare, 127, në rast se ndjejnë një shqetësim, apo përballen me shfaqjen e shenjave klinike që ju krijojnë atyre idenë se mund të jenë të prekur, pa u drejtuar menjëherë në spital, për të minimizuar qoftë riskun e infektimit me viruse të tjera qarkulluese për ata vetë e duke pasur garancinë se mjafton telefonata për t’u asistuar aty ku ata ndodhen”.

Urgjenca Kombëtare Mjekësore ka marrë masat për të përballuar mbi 5 mijë thirrje në ditë. Momentalisht pret 1700 të tilla, si dhe kryen gjithë organizimin territorial për ndjekjen e rasteve që i referohen numrit unik 127.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG