Lidhje

Marrëveshja e SHBA-së me Talebanët ndesh në problemin e parë


Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se marrëveshja e nënshkruar me Talebanët ishte një ditë historike. Duke folur për rrjetin televiziv CBS zoti Pompeo shtoi se "në këtë vend (Afganistan) është derdhur gjak amerikan për një kohë jashtëzakonisht të gjatë. Por kjo ishte koha dhe talebanët e dinin se kishte ardhur koha", siç tha ai.

Por ndërsa kanë kaluar pak më shumë se 24 orë nga nënshkrimi i marrëveshjes historike mes Shteteve të Bashkuara dhe Talebanëve afganë në Doha, zbatimi i saj duket se ka ndeshur në problemin e parë.

Presidenti afgan Ashraf Ghani njoftoi të dielën në Kabul se qeveria e tij nuk ka marrë asnjë angazhim për të liruar me mijëra të burgosur talebanë, një parakusht për fillimin e bisedimeve mes talebanëve dhe grupeve të tjera afgane.

"Lirimi i të burgosurve nuk është në autoritetin e Shteteve të Bashkuara, por të qeverisë së Afganistanit", tha zoti Ghani.

Marrëveshja mes SHBA-së e Talebanëve e nënshkruar të shtunën kërkon që palët në konflikt në Afganistan të nisin negociatat e drejtpërdrejta deri më 10 mars për të rënë dakord mbi një armëpushim të përhershëm mbarëkombëtar dhe ndarjen e ardhshme të pushtetit.

Sidoqoftë, disa nga hapat e kërkuar për t'u ndërmarrë përpara dialogut përfshijnë lirimin e rreth 5 mijë talebanëve që ndodhen në burgjet afgane dhe të 1 mijë forcave qeveritare të sigurisë që mbahen nga kryengritësit.

Por zoti Pompeo tha të dielën se dokumenti i nënshkruar parashikon se SHBA do të punojmë me të gjitha palët për të rritur besimin, mes të gjitha palëve, qeverisë afgane, atyre që nuk përfaqësojnë Talebanët e të tjerë grupe në Afganistan. Ai tha se SHBA "kërkon që ky të jetë një proces gjithëpërfshirës".

Talebanët deri më tani kanë refuzuar ta pranojnë administratën e zotit Ghani si një qeveri të ligjshme apo të angazhohen në bisedime të drejtpërdrejta me të. Ata thonë se e kanë zgjidhur çështjen e lirimit të të burgosurve me amerikanët.

"Ne kemi vendosur mbi çështjen e 5 mijë të burgosurve tanë me amerikanët. Ata kanë premtuar në marrëveshje se të burgosurit do të lirohen para fillimit të bisedimeve brenda Afganistanit. Për ne kjo çështje është e zgjidhur", tha Khairullah Khairkhwah, një anëtar i lartë i ekipit negociator të Talebanëve.

Një delegacion afgan nga Kabul arriti në Doha përpara ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes për të diskutuar rreth çështjes së lirimit të të burgosurve dhe çështje të tjera me talebanët, por anëtarët e grupit kryengritës nuk pranuan t'i takonin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG