Lidhje

COVID-19, përplasje politike në SHBA mbi trajtimin e situatës


Nënpresidenti Mike Pence tha për rrjetin televiziv "NBC" se në SHBA "do të ketë më shumë raste", por shtoi se "po bëhet gjithçka është e mundur për të parandaluar përhapjen e sëmundjes".

Një ditë pasi në SHBA u regjistrua vdekja e parë si pasojë e koronavirusit zoti Pence tha për "CNN" se "lajmi i mirë është se nga 22 amerikanë që janë të infektuar me koronavirus, më shumë se gjysma e tyre pothuajse janë shëruar plotësisht. Mendoj se është e gjitha një pasqyrim i faktit që Presidenti Donald Trump ndërmori që herët hapa të pashmbullta për të pezulluar të gjitha fluturimet nga Kina si dhe vendosjen në karantinë të të prekurve".

"Ishte një lajm shumë i trishtuar ai i humbjes së një jetë", tha zoti Pence duke shtuar se "populli duhet ta dijë se rreziku për një amerikan mesatar mbetet i ulët".

Ndërsa politika është përfshirë nga ethet e garës presidenciale, situata në vend lidhur me përhapjen e koronavirusit ka ngjallur debate politike mbi masat e qeverisë së udhëhequr nga zoti Trump për të luftuar sëmundjen.

Djali i madh i zotit Trump, Donald Trump Jr., u tha demokratëve se ndodheshin në atë që e cilësoi "një nivel të ri të sëmundjes", duke iu referuar fajësimit që po i bëjnë administratës së babait të tij për përgjigje të dobët ndaj rrezikut që paraqet COVID-19.


Ish-Nënpresidenti Joe Biden, tha për rrjetin televiziv "ABC News" se presidenti kishte shkurtuar fondet për dy agjencitë kryesore qeveritare që lidhen me shëndetin e amerikanëve, Qendra e Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve si dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë. "Kemi një president që nuk i lejon shkencëtarët të flasin. Kjo është paaftësi nga ana e tij dhe në kurriz të vendit", tha ai.

Ndërkohë vende të tjera kanë raportuar vdekje si pasojë e koronavirusit. mes tyre Australia, Tajlanda dhe Japonia.

Në Australi, një burrë 78-vjeç, i cili ndodhej në karantinë në anijen kruz "Diamond Princess" vdiq në dielën, rasti i parë i vdekjes në vend. Në Tajlandë, një 35-vjeçar që thuhet se kishte mjaft kontakte me turistë të huaj, shënoi rastin e parë të vdekjes për këtë vend nga COVID-19. Në Japoni, një burrë rreth të 70-ve vdiq në ishullin verior të Hokkaido-s.

Të shtunën Presidenti amerikan Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për çdo rrethanë që do të sjellë përhapja e koronavirusit. Një ditë më parë zyrtarët amerikanë raportuan vdekjen e parë në vend nga virusi. Zoti Trump tha se raste të reja me koronavirus në Shtetet e Bashkuara ishin "të mundshme", por shtoi "se nuk ka asnjë arsye për panik".

Guvernatori i shtetit të Uashingtonit, Jay Inslee, deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme të shtunën dhe urdhëroi agjencitë shtetërore të përdorin "të gjitha burimet e nevojshme" për t'iu përgjigjur situatës.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të shtunën kufizime të forta për udhëtimet drejt Iranit, përfshirë dhe çdo shtetas të huaj që e kishte vizituar vendin gjatë 14 ditëve të fundit. Gjithashtu autoritet rekomandojnë që të shmangen me çdo kusht udhëtimet drejt Italisë dhe Koresë së Jugut, vendet më të prekura nga virusi krahas Kinës.

Përhapja e virusit ka rritur shqetësimin mbi mundësinë e një recesioni global. Kina njoftoi të shtunën se aktiviteti prodhues në vend ka rënë në mënyrë dramatike në muajin shkurt si pasojë e situatës së krijuar prej koronavirusit.

Por krahas lajmeve të këqija, ka të dhëna se ngadalësimi ekonomik në Kinë ka ulur nivelet e ndotjes në vend.

Agjensia Hapësinore Amerikane, NASA dhe Agjensia Evropiane e Hapësirës njoftuan se ata kanë vënë re rënie të konsiderueshme të dioksidit të azotit mbi Kinë, duke e theksuar këtë si "dëshmi se ndryshimi ka ndodhur të paktën pjesërisht prej ngadalësimit ekonomik pas shpërthimit të koronavirus".

"Kjo është hera e parë që vë re një përmbysje kaq dramatike mbi një zonë kaq të gjerë lidhur me një dukuri specifike", tha studiuesi i cilësisë së ajrit në NASA-s, Fei Liu.

Çmimet botërore të aksioneve pësuan rënie duke mbyllur një prej javëve më të këqija për tregjet botërore që nga kriza financiare e vitit 2008.

Katari raportoi rastin e parë me koronavirus të shtunën, tre ditë pasi udhëheqësi Emir Shejh Tamim bin Hamad al-Thani urdhëroi evakuimin e shtetasve të tij nga Irani, epiqendra e shpërthimit në Lindjen e Mesme.

Franca njoftoi të shtunën 16 raste të reja me koronavirusit një ditë pasi Meksika, Nigeria, Zelanda e Re, Lituania, Bjellorusia, Azerbajxhani dhe Islanda raportuan rastet e tyre të para.

Në Itali, Agjensia e Mbrojtjes Civile tha që tetë vetë kishin vdekur nga koronavirusi, duke çuar totalin në 29.

Autoritetet amerikane kërkuan të shtunën përshpejtim e aftësive të spitaleve për të testuar amerikanët nëse janë bartës ose jo të virusit vdekjeprurës. Ata lëshuan udhëzime "që do t'u mundësojë laboratorëve të përdorin teste që zhvillohen shpejt, në mënyrë që të arrijnë kapacitete më të shpejtë të testimit të popullatës amerikane".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG