Lidhje

Tiranë: Botuesi Henri Çili hodhi poshtë akuzat për mashtrim dhe falsifikime


Në Tiranë, botuesi Henri Çili, tashmë në rolin e pronarit kryesor të një studio ligjore, hodhi poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij një javë më parë nga prokuroria për mashtrim dhe ndikim të paligjshëm.

Tiranë: Botuesi Henri Çili hedh poshtë akuzat për mashtrim
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:52 0:00


I arrestuar javën e shkuar dhe i lënë më pas në gjendje të lirë nga Gjykata, botuesi dhe pronari i Universitetit europian të Tiranës Henri Çili, u shfaq sot publikisht duke hedhur poshtë të gjithë dyshimet e ngritura nga Prokuroria për akuza të ndryshme, nga ato për mashtrim, falsifikim dokumentash, fshehje pasurish, e deri ndikim të pligjshëm.

Zoti Çili tha ai zotëron pjesën më të madhe të aksioneve në një studio ligjore dhe se në këtë funksion ai ka kryer bisedime dhe ndërmjetësime për shërbime juridike dhe konsulencash si cdo studio tjetër ligjore.

Ndaj tij u hodhën dyshime se ka marrë përsipër të ndërhyjë për të favorizuar ndryshime të vendimeve për të dënuar me burgim të përjetshëm mbi vrasje të një polici, si në rastin e dy vëllezërve Aliko në Lazarat.

Por zoti Çili pretendi se pjesëmarrja në bisedime me familjarët e tyre ishte një fazë përgatitore përderisa studio ligjore ishte një biznes I ri dhe nuk ka realizuar asnjë fitim.

“Nuk kam kryer asnjë veprim të paligjshëm dhe s ai takon akuzës së parë , nuk kam mashtuar askënd për asnjë lloj arsyeje, dhe për asnjë lloj cëshjtje. Është një marrëdhënie shërbimi mes studios legale dhe personave të kontaktuar, të afërm të personave në procese gjyqësore në shkallën e tretë. Janë bërë kontakte dhe biseda dhe për të konkluduar në një kontratë shërbimesh në një moment të dytë, shërbime ligjore dhe mmbrojtje ligjore për çështje në shkallën e tretë” - tha zoti Çili.

Sipas dokumentacionit të paraqitur nga prokuroria për të kërkuar arrestimin e tij dhe një grupi tjetër të madh personash, zoti Çili thuhet se ka biseduar me një zyrtar të lartë të sistemit të drejtësisë për të përshpejtuar shqyrtimin në Gjykatën e Lartë të dosjeve të të dënuarve për të cilët ai interesohej.

“Akuza 4: për ushtrim ndikimi të paligjshëm; në lidhje me këto dy çështje për të cilat pretendohet se kam kryer shkelje ligjore, nuk kam takuar asnjë gjykatës, asnjë përfaqësues të sistemit të lartë të drejtësisë, as unë dhe as avokatët e mi të studios ligjore. Po ashtu, në jetën time, nuk kam takuar asnjë gjykatës apo funksionar të drejtësisë për të ndikuar për vendime të ardhshme gjyqësore” - tha ai.

Ai shtoi se do të kërkojë pafajësi deri në fund dhe do të apelojë masën e detyrimit për t’u paraqitur.

Sipas prokurorisë, zoti Çili ka marrë në formë dhurimi dy njësi shërbimi në Velipojë, si pjesë e pagesës për rastin e vëllezërve Aliko.

Por edhe për këtë botuesi i njohur u shpreh se, sipas tij e vërteta është ndryshe dhe se dhurimi është bërë me vullnet të lirë nga biznesmeni Seit Fishta dhe sipas ligjeve, se janë paguar edhe taksat, se ishin fillimi I një ideje biznesi atje, por ato objekte nuk janë shpërblime dhe as lidhen me çështjen Aliko.

Por sipas Prokurorisë dhurimi është bërë pikërisht pas bisedës që babai i vëllezërve Aliko ka patur me biznesmenin pikërisht për tarifën që do të duhej t’i paguante Çilit.

Prokuroria e Përmetit ka ngritur 6 akuza ndaj zotit Çili, i cili u ndalua në fund të shkurtit së bashku me 27 persona të tjerë në vazhdën e operacionit Mezhgorani. Prokuroria dyshon se ai, në këmbim të parave, ka ndërhyrë në dy raste për të favorizuar të dënuar me burgim të përjetshëm.

Rasti i parë, për të cilin zoti Cili akuzohet për ndërhyrje kundrejt pagesave janë dy vëllezërit Arbjon Aliko - i dënuar me burgim të përjetshëm dhe Alban Aliko - i dënuar me 18 vite burg, me vendim të formës së prerë, për vrasjen e një efektivi të policisë në Lazarat, gjatë aksionit të vitit 2015 kundër kultivimit të marijuanës.

Ai dyshohet se ka ndërhyrë edhe në një rast të dytë për një të dënuar tjetër po me burgim të përjetshëm. Për të dyja rastet së bashku mendohet se shumat shkojnë në rreth 780 mijë euro, 280 mijë në euro dhe 500 mijë euro të tjera në formë pronash të paluejtshme.

Babai i dy vëllezërve të dënuar, sipas të dhënave të prokurorisë, ka biseduar me biznesmenin shkodran Sait Fishta, dhe mendohet se dy pronat në Velipojë që Fishta ia ka dhuruar Çilit të jenë pjesë e shpërblimeve për këtë të fundit pas ndërhyrjeve për të lehtësuar të dënuarit.

Të gjithë këta persona, biznesmeni, babai i të dënuarve, avokatë dhe familjarë të gjithë protagonistëve janë tashmë të arrestuar në grupin me 28 persona, 15 nga të cilët po mbahen në arrest me burg, derisa të zhvillohet procesi gjyqësor, janë në arrest shtëpie dhe pjesa të tjetër me detyrim paraqitje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG