Lidhje

Biden përballë Sanders, zgjedhje paraprake në 6 shtete


Në garën presidenciale demokrate, fillon të martën një tjetër raund i zgjedhjeve paraprake - një provë me rëndësi në garën tashmë mes dy kandidatëve - ish-nënpresidentit Joe Biden dhe senatorit të Vermontit, Bernie Sanders. Gjashtë shtete zhvillojnë të martën votime që do të ndihmojnë në përcaktimin e delegatëve për në kuvendin e demokratëve.

Ish nënpresidenti Joe Biden bëri fushatë në Mississippi - duke kërkuar të zgjerojë epërsinë e tij në garën demokrate të martën.

"Vërtet besoj se kemi krijuar një moment dhe lëvizje, të fuqizuar nga shtylla dhe baza e Partisë Demokrate, një lëvizje që do të mposhtë Donald Trumpin dhe do të rivendosë shpirtin e këtij kombi".

Biden mori mbështetjen e dy ish rivalëve, senatorit të Nju Xhersit Cory Booker dhe senatores të Kalifornisë Kamala Harris.

Rivali kryesor i mbetur i Bidenit, senatori i Vermontit, Bernie Sanders, mori mbështetjen e udhëheqësit të të drejtave civile Jesse Jackson ndërsa bëri fushatë në Miçigan.

"Pra, vëllezër dhe motra, le të shkojmë përpara dhe të fitojmë të martën, le ta fitojmë emërimin, ta mposhtim Trumpim dhe ta transformojmë këtë vend! Shumë faleminderit të gjithëve! "

Sanders gjithashtu vazhdoi të ankohet se rryma tradicionale e partisë është bashkuar për ta ndaluar atë.

"Pyetja me të cilën preokupohet media është se si mund ta ndalim Bernie Sanders? Duhet të ndalim koronavirusin dhe të ndalim Berne Sanders. Çfarë gjëje e tmerrshme".

Kthimi dramatik i Bidenit në garën demokrate javën e kaluar, tërhoqi gjithashtu vëmendjen e Presidentit Donald Trump.

“Isha i përgatitur të përballesha me Bernin. Pastaj thashë, nuk mendoj se do të përballem me Bernin. Mendoj se do të jetë shumë e vështirë për të të fitojë”.

Biden fitoi dhjetë nga 14 zgjedhjet paraprake javën e kaluar në Super të Martën dhe riformatoi plotësisht garën demokrate, thotë Larry Sabato.

“Më pëlqen të them se Bidenit iu dha një mundësi gati e pabesueshme pasi ai u ngrit nga hiri dhe arriti t’i habisë të gjithë dhe të fitojë kaq shumë zgjedhje paraprake me një diferencë të lartë në shumicën e rasteve”.

Suksesi i Bidenit detyroi largimin e dy rivalëve nga gara - ish-kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg dhe Senatores së Masaçusets Elizabeth Warren.

Shansi më i mirë i Sanders për të rimarrë vrullin mund të vijë të martën në zgjedhjet paraprake të Miçiganit, thotë Jim Kessler.

"Nëse Bernie nuk shënon një fitore të madhe në Miçigan, do të filloni të shihni fundin e kandidaturës së tij, dhe mendoj se atëherë do të jetë e qartë", thotë Jim Kessler.

Përveç Miçiganit, Ajdëho, Misisipi, Mizuri, shteti i Uashingtonit dhe Dakota e Veriut zhvillojnë të martën zgjedhje paraprake.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG