Lidhje

Koronavirus, në Shqipëri shkon në 55 numri i të infektuarve


Në Shqipëri vijon të rritet, ndonëse jo me ritme të larta, numri i personave që rezultojnë të prekur nga coronavirusi. Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot për 4 raste të reja, të gjitha në Tiranë, nga të cilët, 2 janë personel mjekësor i Spitalit “Shefqet Ndroqi”. Në total, të infektuarit me Covid 19 kanë shkuar në 55 raste, 9 prej tyre janë mjekë dhe infermierë, shumica dërrmuese nga spitali “Shefqet Ndroqi”, ku ishte shtruar javën e shkuar një i sëmurë, i cili ishte vizituar nga një i afërm i kthyer nga Italia. “Nga hetimi i kryer, janë testuar 89 personel shëndetësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe prej tyre kanë rezultuar 8 mjekë dhe infermierë pozitivë. Duhet thënë që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëkarantinuar”, bëri të ditur, përgjegjësja e Departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) Silva Bino.

Shqipëri, katër raste të reja me Covid 19
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:17 0:00

Harta e përphapjes së koronavirusit, ka mbetur po e njejtë, 6 qytete, ku kryeson Tirana me 38 rast, e pasuar nga Fieri me 6 raste, Durrësi me 5 raste (nga të cilët një ka ndërruar jetë), dhe Lushnja, Elbasani e Rrogozhina me nga 2 raste secila.

Në spitalin Infektiv të Tiranës, deri sot paradite rezultojnë të shtruar 25 të sëmurë (nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina). “Prej tyre janë në terapi intensive tre qytetarë, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto moment”, tha zonja Bino, duke njoftuar se “spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital COVID, sipas skenarëve, për të lehtësuar edhe fluksin në spitalin Infektiv dhe Ministria e Shëndetësisë po merr masa për zëvendësimin e personelit me mbi 2200 vullnetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të ndihmuar stafet mjekësore në terren”.

Ditët e fundit është vënë re një rënie e ndjeshme e numrit të testimeve krahasuar me ato të ditëve të para, pas konfirmimit të rasteve me coronavirus. Autoritetet shqiptare kanë shpjeguar se në situatën e pandemisë, testimet kryhen për rastet e vërteta të dyshuara dhe kontaktet e ngushta. Edhe sot zonja Bino tha se “të gjitha rastet e testuara kanë qenë raste të dyshuara. Ne po përpiqemi të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të infeksionit. Këtu po përqëndrohet puna e të gjithë shërbimit në këto moment”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG