Lidhje

Shënohet viktima e dytë nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut


Skopje, Macedonia

Një burrë i moshës 63 vjeçe nga Dibra është viktima e dytë nga koronavirusi në Maqedonië e Veriut.

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se burri ishte shtrirë më 17 mars në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup dhe se një natë më parë përnjëherë i ishte rënduar gjendja.

Atij i ishte vendosur respiratori, por nuk kishte arritur të mbijetojë. Pacienti nuk vuante nga ndonjë sëmundje kronike, sipas ministrisë.

Dibra e Madhe është një nga zonat më të prekura, menjëherë pas Shkupit nga COVID-19.

Të hënën vdiq një grua 57 vjeçe nga Kumanova prej koronavirusit. Autoritetet nuk arritën të konfirmojnë nëse viktima e parë kishte qenë në ndonjë prej zonave, vatra të sëmundjes apo të kishte patur kontakte me persona të prekur nga ky virus.

Autoritetet maqedonase kanë vendosur orën policore që hyri në fuqi prej mbrëmjes së të hënës në orën 9 dhe zgjati deri në orën 6 të mëngjesit të së martes. Kjo do të zgjasë çdo ditë deri në një njoftim të radhës.

Ushtria e vendit është përfshirë në mënyrë direkte në mbështetjen e të gjitha institucioneve shtetërore.

Është formuar një shtab i përbashkët operativ midis policisë dhe ushtrisë dhe pjesëtarët e tyre do të patrullojnë për të mbikëqyrur zbatimit e urdhërit për kufizimin e lëvizjes gjatë këtyre orëve.

Policia njofton se ka ndaluar dhjetë persona që nuk kishin respektuar orën policore dhe kishin shfaqur agresivitet, ndërsa shtatëdhjetë të tjerëve u ka shqiptuar vërejte.

Ora policore është mirëpritur nga shumë qytetarë, teksa ka kërkesa për masa edhe më të ashpra, përkatësisht që të shkurtohet edhe më tej orari i lëvizjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG