Lidhje

SHBA, shkollat e mbyllura ofrojnë ushqime falas për nxënësit


Këtë javë, mijëra shkolla amerikane janë mbyllur ndërsa zyrtarët përpiqen të kontrollojnë përhapjen e koronavirusit. Por ky vendim paraqet sfida të reja për familjet që varen nga ushqimet falas të shkollave dhe që nuk kanë teknologjinë e nevojshme që fëmijët e tyre të studiojnë në shtëpi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cristina Smit njofton se si një distrikt në Shtetet e Bashkuara po përballet me këto sfida.

Shkollat në të gjithë Amerikën janë mbyllur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, duke lënë mijëra nxënës në shtëpi.

Ashtu si në zonat e tjera të Amerikës, disa familje në Distriktin e Montgomerit në Merilend mbështeten tek ushqimet falas të shkollës për të ushqyer fëmijët. Të tjerët nuk kanë teknologjinë që fëmijëve u duhet për të bërë detyrat e shtëpisë dhe për të punuar në shtëpi me internet.

Prandaj shkollat e distriktit Montgomeri po u dërgojnë atyre materiale të shtypura.

“Ne i kemi të gjitha materialet gati. Shumica e nxënësve të shkollave fillore nga klasa e parë e deri në të gjashtën tashmë i kanë marrë këto materiale, por jo të gjithë i kanë."

Shumica e institucioneve arsimore ofrojnë mëngjes dhe drekë për familjet me të ardhura të ulëta. Kur shkollat e distriktit u mbyllën për herë të parë pas shpërthimit të koronavirusit, sistemi shkollor ofroi vetëm drekë, por tani ofrohen të tre vaktet.

Deri tani, ata kanë shpërndarë më shumë se 18 mijë racione.

"Ata po shtojnë numrin e racioneve. Shumica i janë shpërndarë komunitetit hispanik. Shumica e tyre nuk kanë makina, prandaj ne ua dërgojmë ushqimet në shtëpi."

Sandra Martínez është nënë e dy fëmijëve, një djali 13-vjeçar dhe një vajze 5-vjeçare.


"Kjo është dita e parë që vij për të marrë detyrat e shtëpisë dhe ushqimet, shkolla gjithmonë ofron ushqime."

Melissa Rivera, drejtore e komunikimit për Shkollat Publike të Distriktit të Montgomerit, thotë se gjëja më e rëndësishme është siguria dhe mirëqenia e familjeve dhe, nëse është e mundur, të krijohet një rutinë e ngjashme me atë të shkollës.

"Mundohuni të mbani të njëjtin orar shkollor dhe në shtëpi krijoni një orar leximi, kontrolli të detyrave, të aktiviteteve, argëtimit, dhe ndonjë aktivitet fizik."

Disa shkolla publike planifikojnë të qëndrojnë të mbyllura vetëm për dy javët e ardhshme, të tjera po mendojnë ose kanë vendosur t’i mbyllin dyert për pjesën tjetër të këtij viti shkollor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG