Lidhje

Udhëheqësit e Grupit të 20-shes diskutojnë krizën globale të koronavirusit


Presidenti i Koresë së Jugut gjatë telekonferencës
Presidenti i Koresë së Jugut gjatë telekonferencës

Udhëheqësit e vendeve më të industrializuara të botës diskutuan dje me telekonferencë mbi përhapjen globale të koronavirusit, pas të dhënave se ekonomitë më të mëdha prej tyre po regjistrojnë rastet më të shumta të sëmundjes dhe po shndërrohen në një epiqendër tjetër e pandemisë. Në SHBA aktualisht ka të paktën 86 mijë raste të konfirmuara me mbi 1300 të vdekur, ndërkohë që kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut parashikoi sot se gjysma e popullsisë prej 8.5 milion banorësh e këtij qyteti do të infektohet.

Në qytetin e Nju Jorkut, ushtarët e Gardës Kombëtare po konvertojnë një qendër konferencash në një objekt të përkohshëm spitalor për të lehtësuar mungesën e shtretërve.

SHBA janë duke u shndërruar në një epiqendër e dytë e pandemisë. Tani ato kanë numrin më të madh të rasteve të konfirmuara me COVID-19, duke ia kaluar Kinës.

Presidenti Donald Trump nuk u kushtoi rëndësi shifrave.

"Mendoj se varet nga testimet. Askush nuk e di se cilat janë shifrat reale në Kinë. Kinë, na e trego numrin," tha Presidenti Trump.

Presidenti Trump dhe udhëheqësit e G-20, vendet më të industrializuara të botës, diskutuan dje me telekonferencë mbi përgjigjen globale ndaj pandemisë.

"Patëm shumë ide të ndryshme, shumë ide të mira, po punojmë së bashku. U mblodhën udhëheqës nga pothuajse e gjitha bota për të folur mbi këtë problem me të cilin tani përballen 151 vende," tha presidenti amerikan.

Ai përsëri bëri thirrje për të hapur së shpejti disa pjesë të vendit në mënyrë që të shpëtohet ekonomia. Por ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë që të mos zbuten para kohe rregullat e distancimit social.

"Duhet të shohim prova që infektimet po ngadalësohen deri në atë pikë sa të ndjehemi të qetë për të zbutur disa prej kufizimeve, si dhe të kemi një plan për të identifikuar me shpejtësi rastet e tjera për t’i izoluar ato," thotë epidemiologia Jennifer Nuzzo.

Në SHBA aktualisht ka të paktën 86 mijë raste të konfirmuara me mbi 1300 të vdekur dhe kjo ka bërë që jashtë vendit të shtohen kritikat ndaj qasjes së administratës Trump.

“Pritjet e mia janë që gjërat do të keqësohen shumë përpara se të përmirësohen. Ne, në të kaluarën, kemi qenë lider për botën. Mendoj se shumë pak njerëz në botë sot po i drejtojnë sytë nga Shtetet e Bashkuara për rol udhëheqës," thotë Max Skidmore, autor i librit, “Presidentët, Pandemitë dhe Politikat”.

Samiti me telekonferencë u thirr nga kreu i tanishëm i G-20-s, mbreti saudit Salman. Në një deklaratë pas takimit, G-20-ta njoftoi se vendet do të injektojnë më shumë se 5 trilion dollarë në ekonominë globale, do të ndajnë më tepër të dhëna shëndetësore dhe do të përpiqen të zgjidhin problemet e mundshme të tregtisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG