Lidhje

Skoci, distileria që do të prodhojë dezinfektues


Në Skoci, një distileri artizanale që prodhon xhin, është shndrruar në fabrikë për prodhimin e dezinfektuesve të duarve, për shkak të kërkesës së lartë për këtë produkt. Pronari i distilerisë Verdant Spirits thotë se kërkesa për xhin artizanal ka rënë, kështu që ai po e përdor alkoolin që ka në fabrikë për një produkt tjetër, tjetër, mjaft të kërkuar, siç është dezinfektuesi.

Alkooli 96 për qind prej drithi është një nga përbërësit kryesorë që përdor distileria për të krijuan xhinin.

Verdant Spirits është i njohur për xhinin dhe rumin e saj që janë nderuar me çmime. Por tani që shitjet kanë rënë thuajse fare, distileria po e përdor alkoolin që disponon për të ndihmuar në frenimin e koronavirusit. Alkooli është përbërës kryesor në prodhimin e dezinfektuesit të duarve.

Andrew Mackenzie, pronar i distilerisë është në pritje të disa përbërësve para se të fillojë prodhimin e dezinfektuesit.

Ai po përdor recetën në faqen e internetit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për t’u siguruar se prodhimi i tij përputhet me standardin.

"Dikush na tregoi se ekziston një recetë në faqen e internetit të Organizatës që është shumë e qartë dhe e mirë për t’u ndjekur”, thotë Mackenzie.

Ai beson se alkooli që ka në distileri do të jetë ideal për dezinfektuesin.

"Xhini bëhet me një lloj alkooli prej drithi, të cilin e blejmë, por edhe vetë prodhojmë një sasi të caktuar dhe ky është çelësi për të prodhuar edhe dezinfektuesin,” thotë ai.

"Fakti që mund të nxjerrim alkool 96 për qind është ndër faktorët kryesorë për të bërë dezinfektuesin, sepse ky produkt duhet të përmbajë të paktën 70 për qind alkool që të ketë efekt ndaj koronavirusit."

Verdant Spirits është një distileri e vogël në Dundee të Skocisë, që 66-vjeçari Mackenzie e menaxhon bashkë me të bijën.

Ai thotë se distileri të vogla si kjo janë goditur rëndë nga koronavirusi.

"Shumë vetë mendojnë se njerëzit vazhdojnë të blejnë xhin, rum dhe pije të ndryshme alkoolike në supermarkete dhe ndoshta ashtu është", thotë Mackenzie.

"Por, jo tek ne. Ne jemi shitës të pavarur me pakicë, që po luftojmë me sa mundemi, por duke qenë se ka shumë njerëz në vetizolim, neve nuk na jepet mundësia të shesim në treg. Nuk kemi pasur asnjë porosi të madhe tre javët e fundit".

Distileria kishte marrë porosi që të bënte xhin për Dhomën e Komuneve. Por punët nuk shkuan mirë.

"Më duket se dikush na ka mallkuar. Data e fillimit të porosisë ishte lënë për më 12 dhjetor, por ajo datë u caktua për zgjedhjet. E shtymë për më 18 mars, por tani Londra është e bllokuar. Pra, është shtyrë përsëri. Kështu që kemi një depo të mbushur me xhin të Dhomës së Komuneve që pret të livrohet, por që nuk kemi ku e dërgojmë.” shpjegon zoti Mackenzie.

Tani që kërkesa për xhin është në rënie, distileria do të mbahet me prodhimin e dezinfektuesit të duarve.

Kostoja për prodhimin e 100 litrave dezinfektues do të jetë rreth 3,000 dollarë.

Mackenzie thotë se drejt punishtes po vërshojnë kërkesat.

"Ne e kishim menduar si një projekt të vogël, për të prodhuar ndoshta 100 litra. Por sapo u përhap lajmi, telefoni nuk ka pushuar dhe ne nuk e përballojmë dot kërkesën. Pra, do të prodhojmë sa mundemi dhe, nëse ia vlen, ta kthejmë në një projekt komercial, por kjo mbetet për t’u parë,” thotë Mackenzie.

Ashtu si pjesa tjetër e Britanisë dhe vende të tjera, supermarketet në Skoci janë zbrazur nga mallra të tillë si dezinfektuesi i duarve e deri tek sendet ushqimore bazë.

Pete Cheema, Drejtor i Përgjithshëm i Federatës Skoceze të Ushqimeve, thotë se shitësit me pakicë në të gjithë Skocinë po përpiqen t’i përgjigjen kërkesës.

"Po zbulojmë se ushqimet e thata, dezinfektuesit e duarve, letrat e tualetit, janë produkte që shiten shumë shpejt. Nuk ka asnjë arsye për panik, por dyqanet duhet të furnizohen shpejt", thotë ai.

Verdant Spirits do ta nxjerrë dezinfektuesin në shishe plastike pesë litërshe dhe shpreson ta fillojë prodhimin brenda një jave. Distileria ka marrë kërkesa nga Malta, Irlanda dhe Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG