Lidhje

Florida numëron humbjet nga COVID-19


Qytetarët në Florida kanë përvojë me fatkeqësi natyrore, pasi ky shtet njihet për uragane dhe vërshime. Banorët atje dijnë si të përgatiten për raste emergjencash. Megjithatë pandemia e koronavirusit që po trondit gjithë botën, ka ndikuar më shumë se sa mendohej tek banorët e këtij shteti.

Duke parë numrin në rritje të të infektuarve me koronavirus, banorët në Florida nxitojnë të furnizohen me ushqime.

“…Kam familje, prandaj nuk dua të pres derisa dyqanet të ngelen bosh. Kam përgjegjësi ndaj familjes…”, tha Maria, banore e Majemit.

“Njerëzit zakonisht i porosisin në internet furnizimet për fëmijë dhe ujin…” tha një punonjës i dyqanit.

“Nëse izolohemi si në Kinë, atëherë s’mund të dalësh. Prandaj duhet të kesh gjëra në shtëpi…”, tha një banore tjetër.

Pandemia e koronavirusit dëmtoi turizmin e Floridës që historikisht njihet për fluks të madh në fillim të pranverës.

Autoritetet në Majemi anuluan festivalin e muzikës “Ultra”, ngjarje e parashikuar të mbahet në fund të marsit.

Florida po ashtu pezulloi garën e tenisit, Majemi Open.

Kryetari i bashkisë në Majemi-Dade urdhëroi mbylljen e klubeve, bareve dhe shkollave dhe publikoi dispozitat e reja për të moshuarit.

“Të gjitha qendrat që janë në shërbim të të moshuarve do të mbyllen, pasi kjo është kategoria më e rrezikuar që të infektohet me COVID-19. Atyre u duhen furnizime me ushqime të ngrohta, për të kaluar javën që vjen. Bashkia do t’u dërgojë ushqime këtyre banorëve”, tha kryetari i bashkisë në Majemi-Dade, Carlos Gimenez.

Vetë kryetari i bashkisë së Majmeit, Francis Suarez është testuar pozitiv për koronavirus. Ai po realizon një video-ditar në rrjetet sociale, ku informon njerëzit për gjendjen e tij shëndetësore.

“Sot është dita e katërt… Ndihem mirë. Në mëngjes mata dy herë temperaturën dhe ishte 36.6 gradë celsius. Kam simptoma të lehta. Duket se jam me fat, pra në mesin e 80 për qind të njerëzve që nuk shfaqin simptoma”, tha Kryetari i bashkisë së Majemit, Franciz Suares.

Deri nga mesi i marsit, Florida kishte katër vdekje nga koronavirusi ndërsa qindra njerëz presin të testohen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG