Lidhje

Maqedonia e Veriut, viktima e 11 nga koronavirusi


Një grua 65 vjeçe ka humbur jetën nga koronavirusi në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha në një konferencë për media se gruaja kishte pasur sëmundje shoqëruese si diabet, sëmundje të zemrës dhe obezitet që janë faktorë rreziku. Kjo e çoi në 11 numrin e viktimave nga kjo sëmundje në këtë vend, duke llogaritur edhe një grua shtatzënë, e cila kishte vdekur të dielën në spitalin e Strugës dhe kishte rezultuar pozitive në testin për koronavirus që i ishte bërë pas vdekjes.

Edhe 25 raste të reja janë diagnostikuar deri në orët e drekës të së mërkures duke e çuar në 354 numrin e përgjithshëm të të prekurve nga COVID-19.

Më së shumti të infektuar janë regjistruar në Shkup, 183. Në Kumanovë ka 54; në Dibër 47, në Tetovë 13, në Prilep 12, në Strugë 9, në Veles 6, në Manastir 4, në Ohër 3, nga 2 ka në Kavadar dhe Gjevgjeli dhe nga 1 pozitiv në Gostivar, Strumicë, Kriva Pallankë dhe Koçanë. Në Klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup janë shtrirë 59 pacientë prej të cilëve 12 në gjendje të rëndë, ndërsa 5 mbahen me ventilim mekanik. 5 pacientë janë shëruar dhe lëshuar në shtëpi pasi rezultatet e testimit të tyre për të dytën herë kanë dalur negative.

Ministri Filipçe tha se po priten rezultatet edhe për 11 persona nga 28 gjithsej që ndodhen në Dibër të cilët janë në gjendje të mirë, sipas ministrit dhe “kanë kaluar mjaft ditë që rezultatet të jenë negative”.

Deri tash janë bërë rreth 3800 teste për koronavirus. Autoritetet shëndetësore presin që piku i COVID-19 të paraqitet në fund të muajit prill; teksa, për momentin thonë se sistemi i shëndetësisë po përballet mirë me sëmundjen.

Ndërkohë, ish-drejtorja e spitalit të Ohrit është ndëshkuar me gjobë në para bashkë me mjekë specialistë dhe vetë reparti i Infektologjisë për shkak se nuk kishin pranuar një grua nga rrethi i Strugës e cila për pasojë kishte vdekur në shtëpi nga koronavirusi para pak ditësh. Dhoma e etikës duhet të vendosë nëse do t’u hiqen licencat këtyre mjekëve ose jo.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG