Lidhje

Shqipëri, vdes 61 vjeçari, shkon në 21 numri i viktimave me koronavirus


Në Shqipëri, një tjetër pacient i shtruar në spitalin Infektiv të Tiranës, humbi jetën sot pasdite. “61-vjeçari nga Tirana, ndodhej i shtruar prej 20 ditësh në spital, në gjendje të rëndë, i intubuar. Më herët ai kishte pësuar vdekje klinike dhe prej disa ditësh gjendja e tij ishte rënduar së tepërmi. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv në terapinë intensive, 61-vjeçari që vuante nga hipertensioni, nuk ia ka dalë të mbijetojë”, njoftoi ministria e Shëndetësisë. Me rastin e sotëm shkon në 21 numri i viktimave me koronavirus. Vetëm gjatë ditës së djeshme humbën jetën tre persona, dy në spitalin Infektiv dhe një grua e moshuar në spitalin e Shkodrës.

Në tre ditët e fundit në vend, është rregjistruar një rritje e ndjeshme e të prekurve me COVID 19. Bashkë me 28 rastet e konfirmuara në 24 orët e fundit, përfshirë dhe 1 fëmijë, janë 84 personat e prekur që nga e premtja, ose gati një e katërta e totalit prej 361 rastesh të zbuluara që nga 9 marsi kur u shënua dhe rasti i parë.

Gati 70 përqind e rasteve të tre ditëve të fundit janë regjistruar në Tiranë (31 raste) dhe në Shkodër (28 raste), ku mbrëmë humbi jetën dhe një e moshuar në spitalin e këtij qyteti. “Kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër dhe Tiranë tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike”, shpjegoi sot drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Albana Fico, e cila tha se “aktualisht po kryhet hetimi epidemiologjik në terren edhe me një ekip të ISHP-së”.

Tirana ka deri tani shifrat rekord prej 174 të infektuarish (17 vetëm në 24 orët e fundit), e pasuar nga Shkodra me 38 raste, Durrësi me 36 qytetarë të prekur dhe Fieri me 25 raste. Janë 17 qytetet e Shqipërisë, kryesisht në ultësirën perëndimore, ku janë rregjistruar persona me koronavirus.

Në të dy spitalet që trajtojnë rastet me Covid 19, sipas të dhënave deri mesditën e së dielës, janë 71 pacientë, 3 janë në gjendje të rendë, ndërsa 8 të tjerë janë në terapi intensive. “Në shërbimin infektiv aktualisht janë 64 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa një është i intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. 6 pacientë janë në terapi intensive, prej të cilëve 2 janë të intubuar, ndërsa 1 pacient ndodhet në pavion”, deklaroi zonja Fico.

Ndërsa numri i vdekjeve në raport me të prekurit mbetet mbi mesataren botërore, Shqipëria vijon të ketë një përqindje të lartë të të shëruarve, numri i të cilëve ka arritur në 104 persona të cilët kanë rezultuar negative në dy teste të njëpasnjëshme.

Autoritetet kishin parashikuar lehtësimin e masava shtrënguese në fillim të kësaj jave, por i shtyu ato sërish pas grumbullimeve të vëna re nëpër tregje paraditen e së shtunës.

Që prej mesditës së djeshme deri nesër në mëngjes vendi është në shtetrrethim dhe çdo aktivitet tregtar apo lëvizje janë të ndaluara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG