Lidhje

Koronavirusi, shkollat në Shqipëri nuk do të hapen për këtë sezon


Në Shqipëri shkollat nuk do të hapen për këtë sezon. Përjashtim do të bëjnë vetëm maturantët, por dhe ata për tre javë, në mënyrë që të përgatiten për provimet. Njoftimi u bë mbrëmjen e së martës nga ministrja e Arsimit Besa Shahini.

Viti shkollor do të mbyllet në qershor 2020. Provimet e maturës shtetërore do të mbahen mes 8-18 qershor. Kjo na jep mjaftueshëm kohë që të përgatitemi për lëshimin në kohë të diplomave”, bëri të ditur ministrja. Shkollat për maturantët do të hapen nga 18 maji deri më 5 qershor. “Në këtë periudhë do të punohet vetëm me lëndët e maturës shtetërore me plan programet e reja që nuk përmbajnë temat e zhvilluara në kushte shtëpie”, shpjegoi zonja Shahini. Hapja e pjesshme do të realizohet duke zbatuar të gjitha rregullat e distancimit social dhe kushtet higjieno-sanitare, “Nxënësit do të jenë të shpërndarë në të gjitha klasat e shkollave, me një distancë minimum prej 1.5 metrash. Numri në një klasë nuk do të duhet të shkojë më shumë se 15 nxënës”, saktësoi ministrja duke shtuar se autoritetet shëndetësore “kanë hartuar një rregullore për sjelljen e nxënësve dhe higjienizimin e klasave. Do të ketë orare për hyrje-daljet nga shkolla, dhe lëvizja në mjediset e shkollës do të jenë të kufizuara në minimum”.

Zonja Shahini shpjegoi se “arsyeja që nuk i hapim të gjitha klasat ka të bëjë me numrin e madh të nxënësve dhe pamundësinë për të ruajtur distancën sociale”, ndërsa kujtoi se “për shkak të tërmetit kemi një numër shkollash që punojnë me dy turne”.

Sa i përket pjesës tjetër të nxënësve, ata do të vijojnë mësimet online “deri në fund të majit duke u mbyllur dy javë më herët në mënyrë që mësuesit të mund të shkojnë në shkolla dhe të bëjnë hedhjen e notave dhe përllogaritjen e vlerësimeve përfundimtare”.saktësoi ministrja Shahini.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG