Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara William Barr tha të premten se me uljen e dukshme të kurbës së infeksionit të koronavirusit, ka ardhur koha që vendi të fillojë të lehtësojë disa prej kufizimeve të distancimit social të vendosura nga qeveritë e shteteve në muajt e fundit për të ngadalësuar përhapjen e virusit.
"Tani që kurba është rrafshuar, shkalla e përhapjes është ngadalësuar, sistemi ynë nuk është mbingarkuar dhe është koha për t'u përshtatur me situatën," tha prokurori Barr gjatë një seance me pyetje-përgjigje me publikun në Twitter. "Është koha që të fillojmë t'i sprapsim disa prej këtyre kufizimeve në mënyrë të rregullt dhe të arsyeshme."
Në përgjigjen e tij në video, Barr vlerësoi planin me tre faza të Presidentit Donald Trump për rihapjen e ekonomisë kombëtare si një "kornizë të arsyeshme pune ". Plani i paralajmëruar javën e kaluar rekomandon një trajektore rënëse 14-ditore të rasteve të dokumentuara të koronavirusit përpara se shtetet individuale të mund tu japin fund kufizimeve. Të paktën 31 shtete kanë njoftuar planet për të rihapur ekonominë në shkallë të ndryshme, edhe pse shumë nuk kanë përmbushur udhëzimet e Shtëpisë së Bardhë.
Kryeprokurori Barr, i cili ka qenë kritik i zëshëm për disa nga kufizimet e distancimit social si tepër të ashpra, paralajmëroi përsëri se Departamenti i Drejtësisë do të marrë në konsideratë bllokimin e masave lokale dhe shtetërore që privojnë qytetarët nga liria fetare dhe liritë e tjera civile.
"Ne jemi në vëzhgim të kufizimeve që janë të zgjeruara, shumë të përgjithësuara dhe padrejtësisht diskriminuese ndaj lirive, siç është liria fetare dhe ajo e fjalës dhe ne do të përpiqemi të punojmë me qeveritë shtetërore dhe lokale për të adresuar këto shqetësime dhe në një rast të caktuara do të marrim masa", tha Barr në përgjigje të një pyetjeje.
Në një memorandum të publikuar të hënën, Barr udhëzoi prokurorët më të lartë federalë të vendit që të "vëzhgonin për direktiva shtetërore dhe lokale që mund të shkelnin të drejtat kushtetuese dhe liritë civile të qytetarëve."
"Nëse një urdhëresë shtetërore apo vendore tejkalon kufirin, nga një ushtrim i duhur i autoritetit për të ndaluar përhapjen e COVID-19, në një shkelje të madhe të mbrojtjeve kushtetuese dhe ligjore, Departamenti i Drejtësisë mund të jetë i detyruar të adresojë këtë situatë në gjykatën federale”, tha kryeprokurori Barr.
Memorandumi pasqyron padurimin në rritje të kryeprokurorit Barr me urdhërat e qëndrimit në shtëpi dhe masat e tjera të distancimit social të zbatuara nga qeveritarët e shteteve që nga fillimi i marsit në një përpjekje për të frenuar valën e koronavirusit dhe për të shpëtuar jetë. Kundërshtimi i kufizimeve çoi në protesta në disa kryeqytete të shteteve amerikane javën e kaluar.
Në një intervistë për Fox News në prill, Barr tha se disa nga masat e distancimit shoqëror të zbatuar nga qeveritarët e shteteve ishin "drakoniane".
Departamenti i Drejtësisë më vonë paraqiti një "deklaratë" në mbështetje të një kishe që po padit qytetin Greenville në Misisipi, mbi një ndalim të shërbimeve pa dale nga makina.
Facebook Forum