Lidhje

Mashtrues e oportunistë përpiqen të përfitojnë nga koronavirusi


Një 39-vjeçar nga shteti amerikan Xhorxhia, i cili para se të shpërthente epidemia ndeshej me akuza federale për operimin e një skeme piramidale që kishte zhvatur para nga pencionistët, me përhapjen e koronavirusit pa një dritare mundësie për përfitime vetjake dhe krijoi një skemë të re mashtrimi.

39-vjeçari Christopher A. Parris filloi të prezantohej si shitës me shumicë i maskave mbrojtëse dhe pajisjeve të tjera mjekësore për të cilat kishte shumë kërkesa e pak inventar në fillimet e epidemisë. Brenda pak javësh ai kishte grumbulluar miliona dollarë me premtimet se do të shpërndante maska.

Por maska nuk kishte.

Tani autoritetet e rendit e kanë akuzuar zotin Parris për mashtrime lidhur me epideminë.

Agjencia e Hetimeve brenda Departamentit të Sigurisë Kombëtare po zhvillon hetime në shkallë kombëtare dhe deri tani ka hapur 370 çështje dhe ka arrestuar 11 vetë në kuadër të Operacionit Premtimi i Grabitur. Matthew Albence, është drejtor i Agjencisë së Kontrollit Doganor.

"Ky është problem shumë i përhapur dhe po rritet përditë. Për momentin jemi vetëm në sipërfaqe,” thotë zoti Albence.

Christopher Parris ishte liruar në pritje të gjykimit për operimin e një skeme piramidale, kur u arrestua muajin e kaluar nën akuzat se ishte përpjekur të siguronte një kontratë prej 750 milionë dollarësh nga Departamenti i Veteranëve për 125 milionë maska dhe pajisje të tjera.

"Po përpiqej të shiste diçka që nuk e kishte,” thotë Jere T. Miles, agjent special në Agjencinë e Hetimeve, e cila hetoi këtë rast me Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Virxhinias. “Bëhet fjalë për mashtrim të pastër”.

Zoti Parris ende nuk u është përgjigjur zyrtarisht akuzave dhe avokatët e tij nuk dhanë përgjigje ndaj pyetjeve të agjencisë së lajmeve Associated Press.

Në shkallë kombëtare, hetuesit kanë zbuluar disa raste mashtrimi me premtime të rreme për shitjen e pajisjeve mbrojtëse nga koronavirusi.

Steve Francis, drejtor i Qendrës Bashkërenduese për Pronën Intelektuale, e cila funksionon në suazën e Agjencisë së Kontrollit Doganor, thotë se autoritetet kanë identifikuar mallra contrabandë të sjella në SHBA nga 20 vende të ndryshme, ose për shitje përmes një numër faqesh elektronike.

"Kemi identifikuar njerëz që nuk janë marrë kurrë më parë me shitjen me shumicë të pajisjeve mjekësore,” thotë zoti Francis.

Në rastin e zotit Parris, ai operonte nga banesa në periferi të Atlantës, me premtimin se përfaqësonte kompaninë Grupi Shëndetësor “Encore” dhe kishte sasi maskash, aspiratosëh dhe pajisjesh të tjera. Në atë kohë, një konkurrencë e ndezur kishte plasur mes shteteve të ndryshme për këto artikuj.

Dokumentat e gjykatës dhe intervistat tregojnë se ai kishte komunikuar me një kompani në Baton Ruzh të Luizianës, e cila më parë kishte vepruar si ndërmjetëse për të blerë pasisje për nevojat e shtetit. Në fund të marsit, kompania kontaktoi Departamentin e Veteranëve, e cila kishte nevoja urgjente për pajisje mbrojtëse.

Departamentit të Veteranëve i lindën dyshime, pasi çmimi ishte rreth 15 herë më i lartë krahasuar me oferta të tjera dhe ia përcolli shqetësimin zyrës së kontrollorit në këtë department, e cila sinjalizoi Departamentin e Sigurisë Kombëtare. Si rezultat u hap një proces hetimor që përfundoi tek zoti Parris.

"Ai nuk ishte në operim për prodhimin e pajisjeve mbrojtëse. Dukej që ishte mashtrim,” thotë zoti Albence.

Për fat të keq, veprimtaria e tij kishte viktima. Autoritetet federale thonë se një llogari bankare në emër të zotit Parris kishte 7.4 milionë dollarë derdhje, shumë prej të cilave të depozituara nga entitete të paidentifikuara që po përpiqeshin të blinin pajisje mbrojtëse në mars dhe prill, sipas dokumenteve gjyqësore. Ai kishte transferuar shuma në llogari jashtë vendit, përfshirë më shumë se 1.1 milionë dollarë në llogarinë e një kompanie zvicerane, për të cilën autoritetet besojnë se është një kompani fantazmë.

Qeveria amerikane ka marrë 3.2 milionë dollarë nga llogaritë e tij.

Skema piramidale nuk kishte lidhje me përpjekjet e zotit Parris për të mashtruar Departamentin e Veteranëve, por “është mjaft e ngjashme në sjellje dhe në synimet e planit,” sipas aktakuzës.

Zoti Miles tha se një person që operon në një skemë piramidale “është një keqbërës specifik,” por shtons e “personi që operon një skemë mashtrimesh në mes të një pandemie ka shkuar një nivel krejt tjetër të aktivitetit kriminal”.

Në mashtrimet e mëparshme, Parris dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen se kishin zhvatur të paktën 115 milionë dollarë nga rreth 1000 vetë nga janari 2012 deri në qershor 2018, duke i bindur t’u dorëzonin kursimet për t’i investuar me fitim. Siç rezultoi, fondet e investimit nuk ekzistonin, shpjegon Komisioni i Shëmbimeve në Bursë dhe Letrave me Vlerë.

Perry Santillo, një tjetër pjesëtar në këtë skemë mashtruese pranoi fajësinë në nëntor.

Sipas aktakuzës, Parris dhe bashkëpunëtorët e tjerë kishin blerë firma të konsulencës për investime që ofronin këshilla për pencionistët. Parris dhe bashkëpunëtorët e tij shfrytëzonin kredibilitetin e firmave për të mashtruar klientët me premtimin për fitime.

Juristi nga Florida, Scott Silver përfaqëson disa nga pencionistët që janë përpjekur të marrin nga Komisioni i Shëmbimeve në Bursë dhe Letrave me Vlerë një pjesë të fondeve të humbura. Ai thotë se pasi autoritetet federale e mbyllën këtë skemë mashtrimesh, u zbulua se Parris dhe të tjerët i kishin shpenzuar paratë që kishin zhvatur dhe nuk kishte mbetur ndonjë shumë e madhe që t’u ndahej viktimave. Juristi Silver nuk habitet që Parris është arrestuar për një skemë tjetër mashtrimi. “Ai do të hajë 20 vjet burg për skemën piramidale, s’ka pse i trembet një akuze të dytë”.

Christopher Parris, ndaj të cilit u ngritën akuza në janar, ka punuar më parë si agjent për shitjen e sigurimeve, ka operuar një pikë pastrimi kimik dhe është përpjekur të konkurrojë në politikën lokale në Roçester të Nju Jorkut. Ai gjithashtu ishte nënpresident i Komitetit Afrikano-Amerikan Republikan.

"Shumë njerëz që më njohin kanë besim tek unë,” tha zoti Parris në 2015, në një seancë me pyetje-përgjigje me Agjencinë Rregullatore të Sektorit Financiar, e cila më pas anuloi liçencën e tij si agjent për sigurime.

Jane Naylon, një nga personat që thotë se humbi para nga skema piramidale e Christopher Parrisit, thotë se ndiqte mësime kitare nga i ati i tij, prift në një kishë lokale. Ajo humbi 15 mijë dollarë në këtë skemë.

Zonja Naylon thotë se kishte ndjekur një seancë gjyqësore në Nju Jork dhe ishte tronditur kur gjykatësi e liroi zotin Parris me kusht. Kur mësoi më vonë nga e bija se ai ishte arrestuar përsëri, këtë radhë për mashtrim me pajisje mjekësore, ajo ishte ndjerë e shokuar, por edhe shumë e gëzuar.

“Uroj ta dënojnë me burgim të përjetshëm”.

Tani Parris po mbahet në paraburgim në Atlanta. Ai pritet të transferohet në Uashington dhe të dalë në gjyq në Virxhinia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG