Lidhje

Koronavirusi, Rama për hapjen: Lokalet, transporti e turizmi pika të rrezikshme


Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama tha të martën se hapja e lokaleve, transporti dhe turizmi janë tre pika shumë të nxehta dhe shumë të rrezikshme në një situatë kur mundësia e një vale të dytë të koronavirusit nuk përjashtohet. “Lokalet dhe sipërmarrësit e lokaleve duhet të ndjehen në detyrimin për të mbrojtur shëndetin, jo vetëm të tyre dhe të personelit, por dhe të popullit shqiptar, sepse, nëse fillon një zinxhir infeksioni nga lokalet, gjëja bëhet problematike. Koreja e Jugut u detyrua të rikthehet mbrapsht për shkak të një një zinxhiri infeksioni pikërisht nga lokalet. Jordania u detyrua të kthehet mbrapsht për shkak të një zinxhiri infeksioni nga transporti. Kështu që dihet shumë mirë “pse” dhe “si””, deklaroi zoti Rama gjatë një konference shtypi, duke paralajmëruar penalizime për ata që nuk marrin dhe respektojnë masat e duhura. Kryeministri shpjegoi se ka filluar puna për një strategji adoptimi të transportit, që “do ta paraqesim në fillim të qershorit”.

Sa i përket turizmit, zoti Rama tha se “kjo është dilema më e madhe e imja dhe e jona çdo ditë. Është jashtëzakonisht e vështirë dhe është një vendim që është një thikë shumë e mprehtë, me dy presa, sepse rreziku është shumë i madh. Nga ana tjetër, sigurisht që edhe mbyllja përtej një garancie ekuilibri mes ruajtjes së shëndetit dhe mbrojtjes së njerëzve nga katastrofa ekonomike është një domosdoshmëri. Jemi duke e përpunuar vendimmarrjen dhe brenda pak ditësh do të dalim me vendimmarrje”.

Kryeministri tha se masat lehtësuese do të vijojnë dhe “brenda muajit, ne duam që edhe kufijtë tokësorë të hapen. Shpresoj që kjo të jetë e mundur. Tanimë kemi hequr detyrimin e karantinimit në hotel dhe gjithsekush që vjen karantinohet në shtëpi. Shengeni është i mbyllur, të paktën deri në datën 15 qershor, që do të thotë që fluturimet ajrore janë shumë të kufizuara”.

Qeveria po shikon mundësinë për hapjen e kopshteve dhe të çerdheve, publikë dhe jopublikë, në datën 1 qershor. “Nëse numrat do të vazhdojnë të jenë stabël, ne mund t’i hapim kopshtet dhe çerdhet dhe kjo kohë duhet shfrytëzuar për të krijuar kushtet

Tirana, e cila ka qenë epiqendra e epidemisë, duket se nuk do të përfitojë lehtësime të tjera, as në javën e ardhshme. Zoti Rama tha se “Tirana mbetet një problem ende dhe lehtësimi në Tiranë, apo në zonat e tjera të kuqe për momentin që flasim duket i pamundur edhe këtë javë. Ndërkohë që në pjesën tjetër do të vazhdojmë”.

Zoti Rama përsëriti thirrjen që “të gjithë qytetarët të bëjnë çmos, çdonjëri nga ne të bëjë çmos që të ruajë veten e të tjerët, duke respektuar ato rregullat e thjeshta, jo fort të këndshme, por duke i respektuar, sepse përndryshe mund të kthehemi në situata më të vështira se ato që kaluam, sepse mund të gjendemi jo vetëm të mbyllur, por dhe shumë më seriozisht të ekspozuar”. Ai paralajmëroi se “në rast se numrat do të fillojnë të kërcejnë përtej një pritshmërie të arsyeshme dhe do të mund të na fusin në një kornizë të një modeli zhvillimi të epidemisë që kërcënon sistemin tonë shëndetësor, ne do të jemi të detyruar të rimbyllemi, që do të ishte e rëndë shumë për të gjithë”.

Ndërsa që prej fillimit të javës së shkuar masat shtrënguese janë lehtësuar gjerësisht, rastet e reja, të paktën të ditëve të fundit kanë qenë në kuota minimale. Të martën autoritetet njoftuan se në 24 orët e fundit, nga 243 testime, janë konfirmuar vetëm 4 persona të prekur rishtazi. Bëhet fjalë për dy raste në Tiranë dhe 1 në Krujë, dy zonat që janë me shifrat më të larta të rasteve aktive. Rasti i katërt është në Berat, qytet i cili u përfshi në listën e zonave të gjelbërta. Që nga fillimi i pandemisë, në total numri i personave pozitiv ndaj COVID-19 është 876.

Në rënie edhe numri i atyre që kërkojnë trajtim në spital. Sipas të dhënave të përditësuara, janë gjithsej 24 pacientë nga të cilët vetëm njëri është në terapi intensive. Në ndërkohë, të shëruarit po shtohen me ritme të larta. Pasi në 24 orët e fundit, 28 persona të tjerë u deklaruan negativë, numri i të shëruarve është ngjitur në 682, ose rreth 78 përqind e të gjithë të prekurve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG