Lidhje

Operacione të kontrollit doganor kundër kontrabandës me artikuj për koronavirusin


Autoritetet federale kanë arrestuar dhjetëra vetë dhe po zhvillojnë hetime mbi qindra kallëzime për manipulime e mashtrime të shoqëruara me epideminë e koronavirusit. Sipas Agjencisë për Kontrollin Kufitar e Doganor, mashtrimet kanë marrë formën e artikujve kontrabandë që premtojnë të kurojnë sëmundjen, apo kompani fantazmë që premtojnë t’u shesin klientëve pajisje mbrojtëse, por pa përmbushur porositë:

Autoritetet federale janë hedhur në veprim, pas ankesave të shumta nga amerikanë të mashtruar apo grabitur nga kompani të paskrupullta. Agjencia për Kontrollin Kufitar e Doganor ka krijuar operacionin “Premtim i Grabitur” në përgjigje të problemit:

"Me këto raste kemi kapur vetëm majën e ajsberut të këtij problemi. Kemi marrë informata për më shumë se 500 raste të dyshuara. Kemi hapur disa hetime. Kemi zbatuar dhjetëra urdhër-arreste, po analizojmë provat dhe do të ketë arreste të tjera,” thotë zoti Albence.

Zyrtari i Agjencisë për Kontrollin Kufitar e Doganor thotë se frika e krijuar nga pandemia ka shërbyer si terren për individë të paskrupullt që po përpiqen të përfitojnë nga situata:

"Kemi të bëjmë me organizata të paskrupullta që shfrytëzojnë frikën e popullatës, qoftë për shëndetin e familjes apo për goditjen ekonomike nga kjo pandemi dhe dëmin që i shkakton pandemia mundësisë për të mbajtur familjen,” thotë drejtori në detyrë i Agjencisë për Kontrollin Kufitar e Doganor, Matthew Albence.

Sipas zotit Albence, problemi filloi me rendjen pas maskave, dorezave e dizinfektantëve e vazhdoi me kimikate e solucione me premtime boshe si kura kundër COVID-19:

"Artikuj nga më të ndryshmit: maska, veshje mbrojtëse, dizinfektant për duart, ilaçe, paketa testimi, apo përzierje që premtojnë të kurojnë COVID-in. Pak a shumë, çdo gjë që i duhet individit për të trajtuar simptomat apo për t’u mbrojtur nga infektimi, çdo element po manipulohet,” thotë zoti Albence.

Ndërkohë që autoritetet federale vazhdojnë punën për të identifikuar e sjellë para drejtësisë personat që kanë organizuar këto skema mashtrimi, ata po përpiqen të parandalojnë viktimizimin e individëve të tjerë:

"Po komunikojmë me publikun, po i informojmë se si të kuptojnë rrezikun. Nëse vizitojnë faqen e agjencisë sonë tek ICE.gov, kemi një faqe të tërë të dedikuar ndaj këtij problem. Mund të na shkruajnë në adresën Covid19Fraud@dhs.gov ku njerëzit mund të na pyesin për të mësuar për këto skema, për të ofruar informacion nga përvoja e tyre dhe të kërkojnë këshilla si të mbrohen,” thotë zoti Albence.

Një ndër skemat më të mëdha të mashtrimit ka në qendër 39-vjeçarin Christopher Parris, i cili akuzohet se u përpoq të siguronte një kontratë nga Departamenti i Veteranëve me vlerë prej 750 milionë dollarësh kundrejt shitjes së 125 milionë maskave e pajisjeve mjekësore. Autoritetet thonë se nuk kishte operacione për prodhimin e këtyre pajisjeve dhe kishte këmbëngulur të parapaguhej për kontratën.

Përveç grupeve dhe individëve që operojnë brenda Shteteve të Bashkuara, autoritetet thonë se ka pasur skema mashtruese që operojnë nga vende të tjera por përfitojnë nga shtetas amerikanë përmes ofertave në internet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG