Lidhje

Reforma në Drejtësi, Meta: Çdo ndryshim në një Këshill politik


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, publikoi sot një platformë, që u ka nisur partive politike në fillim të prillit për një dialog mes tyre në përmbushje të 15 kushteve të Bashkimit Europian.

Mes të tjerave, zoti Meta ka propozuar ngritjen e një Këshilli Politik, i cili mund të miratojë me konsensus unanim çdo ndryshim ligjor ose kushtetues në lidhje me reformën në drejtësi.

Po sot, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, tha se reforma zgjedhore dhe reforma gjyqësore janë të domosdoshme dhe se duhen ndërprerë lojërat politike.

Reforma në Drejtësi, Meta: Çdo ndryshim në një Këshill politik
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:44 0:00

Presidenti i Shqipërisë. Ilir Meta, publikoi sot një platformë me 14 pika, që, sipas tij, iu shpërnda në fillim të prillit institucioneve qendrore dhe faktorëve politikë, duke kërkuar përfundimin e reformës zgjedhore dhe asaj gjyqësore.

Ajo që bie në sy është propozimi “për ngritjen e një Këshilli Politik ku duhet të bëhet me konsensus unanim çdo ndryshim ligjor e kushtetues në lidhje me reformën në drejtësi” si dhe që "ky Këshill të zgjedhë me mirëkuptim kryenegociatorin për antarësimin në BE”.

Struktura e këtij Këshilli duket të jetë e ngjashme me atë për Reformën Zgjedhore, si një instiltucion që anashkalon parlamentin, duke qenë ai vendimmarrrësi kryesor.

Në pikat e tjera, krahas largimit të kryetarit aktual të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, presidenti propozoi që parlamenti të tërhiqet nga paketa antishpifje dhe ndryshimi i mënyrës së betimit për Gjykatën Kushtetuese.

Zoti Meta tha se për këtë platformë nuk ka patur asnjë reagim nga subjektet politike, por kryeministri Rama mohoi që ta kishte marrë ndonjëherë këtë platformë, por shprehu gadishmërinë të takohej me opozitën dhe me partnerët e Reformës në Drejtësi.

“Jemi në prag të miratimit të Planit të Veprimit për Negociatat në Këshillin Kombëtar të Integrimit, s’ka rast më të mirë që Presidenti, Opozita, Institucionet e Drejtësisë, Partnerët Ndërkombëtarë për Drejtësinë dhe Integrimin, të mblidhen URGJENT në një tryezë me karta të hapura” - tha zoti Rama.

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, tha se pd dhe opozita po kryejnë detyrat e tyre në raport me 15 kushtet e BE-së dhe nuk do të lejojnë bllokimin e reformës zgjedhore.

Zoti Basha tha se opozita është e vendosur t’u ofrojë shqiptarëve rrugëdaljen nga kriza, duke u angazhuar plotësisht në përfundimin një orë e më parë të reformës zgjedhore, që i hap rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe integrimit në BE.

“Loja e Edi Ramës me shpresën se duke shkatërruar Teatrin Kombëtar do të shkatërronte dhe reformën zgjedhore dhe shanset për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme dhe të merrte peng procesin e integrimit europian të vendit, tani, doli zbuluar. Të gjithë, shqiptarë e të huaj, e kanë parë këtë plan mafioz që ka për qëllim të pengojë reformën zgjedhore, të pengojë integrimin europian të vendit dhe të lejojë Edi Ramën të përdorë të njjtëat mekanizma që ka përdorur edhe më parë për të manipuluar e të mbajë Shqipërinë peng të krizave ciklike. Ne jemi të vendosur të mos e lejojmë këtë” - tha zoti Basha.

Ai tha se qytetarët kanë nevojë për drejtësi për shkatërrimin e teatrit, për shkatërrimin e ekonomisë, shkatërrimin e mijëra vendeve të punës, për shkatërrimin e Kushtetutës, të ligjit e të drejtësisë nga “një kryeministër, i cili ka 7 vjet që vjedh, mashtrom dhe sillet si një kriminel ordiner duke shkelur çdo ligj të vendit, duke shkelur Kushtetutën e vendit”.

Platformën e bërë publike sot, zoti Meta e kishte prezantuar dje gjatë takimit me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian.

Më herët gjatë ditës, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri Yuri Kim, tha se reformat zgjedhore dhe ajo gjyqësore janë të nevojshme për integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe se këto të dyja nuk janë për të bërë pazare. Ambasadorja Kim i bëri këto komente për mediat, para se të vizitonte një nga institucionet e reja të sistemit të drejtësisë.

Ajo theksoi se SHBA dëshiron që Shqipëria të jetë një aleat i fortë i saj dhe pjesë e familjes europiane, por këto nuk mund të arrihen pa kryer reformën zgjedhore dhe atë gjyqësore.

“Reforma zgjedhore dhe ajo gjyqësore janë domosdoshmëri dhe ka ardhur koha të rreshtet së bëri lojëra. Është koha që të realizohet Reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore, ashtu sikurse udhëheqësit i kanë premtuar popullit shqiptar dhe një drejtësi ashtu si SHBA dhe populli shqiptar presin” - tha zonja Kim.

Edhe mbrëmë ambasadorja Kim, hodhi dyshime për përpjekje për të penguar Reformën në Drejtësi, përmes marrëveshjeve “prapa krahëve”.

Ndërsa ambasadori i BE-së, Luigi Soreca theksoi më pas se “nuk është koha për të rihapur diskutimin mbi bazat” e Reformës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG