Lidhje

Koronavirusi, Shqipëria drejt hapjes totale


Që prej 1 Qershorit, Shqipëria do të shkojë drejt hapjes totale pas afro 13 javësh nën masa të forta shtrënguese të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi sot se “do të lejohet levizja e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin, në të gjitha qytetet dhe qarqet e vendit. Do të rihapen çerdhet dhe kopshtet publike dhe private duke zbatuar protokollet e sigurisë të miratuara. Do të hapen kufinjtë tokësorë, duke pezulluar karantinimin dy javor, si një masë e cila është ndjekur nga vendet europiane”.

Zonja Manastirliu bëri të ditur gjithashtu se “nga data 1 Qershor plazhet do të jenë të hapura, nën masa të sigurisë, sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt. Plazhet sipas zonave të miratuara do jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një Autoritet i Përkohshëm që është ngritur për këtë periudhë dhe do të administrojë lejet për vendosje të pajisjeve të plazhit nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçante për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjeno-sanitare në plazhe”.

Nga fillimi i muajit të ardhshem do të rinisin dhe aktivitetet sportive. “Do të lejohen kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit sipas protokolleve të sigurisë, si dhe palestrat sipas protokolleve të miratuara”,shpjegoi ministrja.

Të vetmet aktvivitet që do të vijojnë të mbyllura do të jenë transporti publik dhe aktivitetet kulturore, kinema, teatër, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferenca, dëgjesa publike, tubimet e çdo lloji.

Që prej fillimit të epidemisë në Shqipëri janë rregjistruar 1099 raste me koronavirus, ndërsa 33 persona humbën jetën. Aktualisht janë 215 persona ende aktivë.

Rastet e reja u rritën ndjeshëm 4 ditët e fundit pas vatrave të reja në Tiranë, njëra në një Call center, dhe tjetra në Qendrën spitalore universitare Nënë Tereza. Janë 10 qytete ku ende ka të prekur aktivë, ndërsa më shumë se gjysma e këtyre të fundit janë në kryeqytet

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG