Lidhje

SHBA, studiuesit analizojnë manifestimin e racizmit në politika e praktika


Protestat që kanë përfshirë Shtetet e Bashkuara, të ndezura nga vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd gjatë arrestit nga një polic i bardhë, janë ushqyer nga një numër faktorësh. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Deepak Dobhal na njeh me një studiues të problemeve racore, i cili ofron gjithashtu shembuj nga përvoja e tij me pabarazinë që ekziston në sistem dhe shoqëri:

SHBA, studiuesit analizojnë manifestimin e racizmit në politika e praktika
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:03 0:00

Andre Perry, studiues në Institutin Brookings, analizon ndikimin e programeve shtetërore tek problemet sociale të Amerikës. Në një vizitë në Monumentin e Linkolnit ai qëndron në vendin ku Martin Luther King mbajti fjalimin e famshëm “Kam një Ëndërr”:

Më 28 gusht 1963, Martin Luther King foli në atë fjalim për nevojën për liri, për mundësi punësimi. Në fakt beteja për këto të drejta vazhdon”, thotë ai.

Revoltimi i afrikano-amerikanëve pas vdekjes së George Floydit, nuk është thjesht shok dhe reagim ndaj imazheve të policit që e mban të mbërthyer me gjurin në qafë, thotë studiuesi.

Kur pamë vdekjen e tij, na u kujtuan vite e vite protestash të ngjashme që dëshmojmë se në realitet nuk ka pasur shumë përparim. Njerëzit ndjehen të pafuqishëm. Mendojmë “Kështu e pësoi im atë; këtë hoqi nëna, gjyshja ime. Ende po vazhdon. Deri kur kështu?”

Një vdekje tronditëse në një kohë pandemie konkretizoi një numër problemesh sociale me të cilat përballen afrikano-amerikanët, thotë zoti Perry:

“Ato zona ku afrikano-amerikanët po vdesin me ritme më të larta nga sëmundja janë vende me probleme më të mëdha, me kushte të këqija strehimi, ritme të larta papunësie, numër më të madh incidentesh të diskriminimit racor në vendin e punës, në strehim”.

Të gjitha këto probleme, thotë studiuesi, nxorën zbuluar efektin që kanë në jetën e këtij komuniteti problemet e pabarazisë në struktura.

“Pasuria e një amerikani të bardhë mesatarisht llogaritet në 170 mijë dollarë. Pasuria e një afrikano-amerikani llogaritet mesatarisht në 17 mijë dollarë, pra një e dhjeta e zotërimeve të një amerikani të bardhë”.

Dr. Perry ofron një numër statistikash për të ilustruar argumentin e tij për problemet specifike që rëndojmë mbi komunitetin afrikano-amerikan:

Ritmet e papunësisë kanë qenë gjithmonë dy herë më të larta se në radhët e të bardhëve. Komunitetet afrikano-amerikane marrin 23 miliardë dollarë më pak fonde për shkollat. Afrikano-amerikanët ndalohen nga policia rrugore 2-3 herë më shpesh se të bardhët”.

Afrikano-amerikanët i kuptojnë këto shifra, i ndjejnë në jetën e tyre; këto nuk janë statistika të thata akademike, thotë Dr. Perry. Ai ka analizuar shifrat mbi pronat. Studiuesi thotë se nëse krahason komunitete afrikano-amerikane me komunitete të bardha me të njëjtin nivel krimi, me të njëjtin nivel arsimi në popullatë, vëren se vlera e shtëpive në komunitetin afrikano-amerikan është 23% më e ulët se vlera e një shtëpie në komunitet të bardhë. Kjo dikton fondet që shpenzojne autoritetet lokale për nevojat e komunitetit:

“Kjo vlerë më e ulët nënkupton në total 156 miliardë dollarë më pak në zotërimet e komunitetit afrikano-amerikan. Kjo sjell fonde më të pakta për arsimin, për infrastrukturën e komunitetit, për të gjitha programet që nxjerrin njerëzit nga varfëria”.

Për Dr. Perryn, këto shifra janë një kujtesë e problemeve që hasi gjatë jetës në komunitete afrikano-amerikane:

Im atë e futën në burg, ku e vranë. Kur linda, nëna ia dorëzoi përkudesjen për mua një gruaja më të madhe në moshë, Elsie Boyd, e cila jozyrtarisht na adoptoi mua, së bashku me dy vëllezër. Ishim shumë të varfër, vishnim rrobat e njeri-tjetrit. Nuk shoh më albumet e shkollës, pasi shumë prej shokëve kanë përfunduar në burg. Ishin më të zgjuar, më të zotët se unë, por bënë një gabim. Një gabim i thjeshtë në komunitetin afrikano-amerikan të rrënon për gjithë jetën. E ndjej ende atë dhimbje, atë frikë. Të merr vite nga jeta”.

Racizmi është futur në struktura si pjesë e pandashme dhe shfaqet në politika. Do të duhen vite, madje dekada për të vënë zbatim politika anti-raciste, ndërkohë që zhbëjmë politika me kornizë raciste. Nuk bëhet me një ligj të vetëm. Lëvizja për të Drejta Civile në vitet 1960 ishte me rëndësi historike, por siç po e shohim, duhen vite që ndryshimet të hedhin rrënjë”.

Dr. Andre Perry thotë se kërkohet një angazhim i vazhdueshëm për të miratuar ligje anti-raciste dhe zbatimi i politikave e programeve për avancimin e popullatës afrikano-amerikane që të arrihen ndryshime reale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG