Lidhje

Autoritetet amerikane heqin autorizimin emergjent për hidroksiklorokuinën


Autoritetet amerikane hoqën autorizimin emergjent për ilaçin hidroksiklorokuinë që është reklamuar shpesh nga Presidenti Trump si kurë kundër COVID-19, pasi ka prova në rritje se ilaçi nuk funksionon dhe mund të ketë efekte anësore vdekjeprurëse.

Administrata amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet thotë se ilaçi nuk duket se ofron efekte kuruese për koronavirusin. Duke cituar raporte për probleme zemre, agjencia tha se përfitimet ende të pavërtetuara nuk tejkalojnë “rreziqet e njohura dhe të mundshme”.

Ky ilaç dhe klorokuina, të cilat përdoren për artritin reumatizmal dhe lupusin, shkaktojnë aritmi, në disa raste ulin shumë tensionin dhe mund të dëmtojnë indin muskulor apo nervat.

Njoftimi i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve nënkupton se rezervat e blera nga qeveria federale nuk do të shpërndahen më nga autoritetet shtetërore e lokale, si masë kundër koronavirusit. Ilaçet do të vazhdojnë të shiten për përdorime të tjera, por jo kundër COVID-19.

Të enjten, një komision ekspertësh të Institutit Kombëtar të Shëndetit ndryshuan rekomandimet e mëparshme duke u shprehur haptazi kundër përdorimit të këtyre ilaçeve përveçse për studime zyrtare.

Vendimet e këtyre dy institucioneve të fuqishme përcjellin një mesazh të qartë që mjekët të mos u rekomandojnë pacientëve me COVID këtë ilaç.

Presidenti Trump ka përsëritur disa here në fillimet e pandemisë bindjen e tij për vlera mbrojtese nga ilaçi.

Administrata për Ushqime dhe Ilaçe miratoi status emergjent për këtë medicament për përdorim kundër COVID-19, ndërkohë që qeveria federale pranoi 30 milionë doza të hidroksiklorokuinës dhe klorokuinës që u dhuruan nga dy kompani të huaja.

Agjencia rregullatore tha të hënën se e kishte hequr autorizimin pas konsultimeve me Autoritetin për Kërkime të Avancuara Biomjekësore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG