Lidhje

Presidenti, rivali demokrat dhe planet e tyre kundër COVID-19


Ndërkohë që po shtohen rastet me koronavirus në shumë shtete amerikane, ish-nënpresidenti Joe Biden, kandidati i pritshëm i demokratëve në zgjedhjet presidenciale, kohët e fundit kritikoi ashpër Presidentin Trump për mënyrën si i është përgjigjur pandemisë, duke e quajtur reagimin e tij “thuajse të nivelit penal”. Në një analizë të korrespondntit të Zërit të Amerikës Brian Padden, njofton se konservatorët shqetësohen se plani që ka propozuar pretendenti demokrat për mobilizim më të madh të burimeve federale në luftë kundër koronavirusit, mund të krijojë terren për zgjerimin e mëtejshëm të rolit të qeverisë në kujdesin shëndetësor dhe të programeve të asistencës.

Joe Biden ka kritikuar në mënyrë të përsëritur përgjigjen e Presidentit Trump ndaj koronavirusit, përfshirë faktin që presidenti nuk pranon të vërë maskë, apo që bën këshilla të pabaza për ilaçe ose kura si dhe këmbënguljen e tij për të rihapur ekonominë, megjithëse rastet me koronavirus vazhdonin të rriteshin në shumë shtete.

"Mendoj se qeveria federale ka braktisur rolin e një udhëheqësi efektiv. Të paktën, Shtëpia e Bardhë e ka braktisur këtë rol,” thotë zoti Biden.

Ish-nënpresidenti Biden, i cili kryesoi me sukses përpjekjet për të vënë nën kontroll epideminë e ebolës nën administratën Obama, sheh si zgjidhje një angazhim më të madh dhe më të vendosur të qeverisë federale kundër pandemisë.

Ditët e fundit numri i të infektuarve në SHBA kaloi 2 milionë vetë dhe kriza ekonomike ka lënë mbi 20 milionë amerikanë pa punë.

Plani i zotit Biden do të shtonte fondet federale për të ofruar falas testime, mjekime dhe një vaksinë kundër virusit.

Qeveria federale do të paguante qindra mijëra punonjës të shëndetësisë për të mjekuar të infektuarit dhe për të gjurmuar personat që mund të jenë ekspozuar në mënyrë që të parandalohet përhapja.

Po ashtu plani parashikon zgjerim të mbështetjes me leje për sëmundje, apo asistencë papunësie për të gjithë punonjësit që kanë humbur punën, përfshirë immigrantët pa dokumente.

“Mendoj se ata që kanë ndërgjegje duan të zbatojnë programe të tilla, sepse duhet të kujdesemi për njerëzit. Pandemia ka treguar se nevojitet një mobilizim kolektiv që të gjithë të mbrohemi nga virusi,” thotë këshilltari i fushatës së zotit Biden, Ezekiel Emanuel.

Konservatorët argumentojnë se këto masa do të kishin kosto masive që do të dëmtonte rimëkëmbjen ekonomike. Ata besojnë se demokratët do ta shfrytëzojnë pandeminë për të zgjeruar qeverinë federale me programe të kushtueshme të sigurimeve shëndetësore dhe do të rrisnin përfitimet për punonjësit.

“Nevojitet një paketë e përkohëshme dhe e fokusuar ndihmash që të përdoret aty ku është më e nevojshme dhe jo të zgjerohet qeveria që të ndërhyjë në jetët e tona,” thotë analisti Rob Bluey me fondacionin konservator “Heritage”.

Në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, kontrasti mes mesazhit të zotit Trump për të forcuar ekonominë dhe fokusi i zotit Biden tek krijimi i kushteve për një kthim pa rrezik në punë, po krijon një dallim të qartë mes kandidatëve që do të diktojë për shumë votues zgjedhjen e tyre në nëntor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG