Lidhje

Qeveria rimburson shqiptarët që morën gjoba se kaluan afatet jashtë vendit


Ministria e Financave në Shqipëri njoftoi fillimin e rimbursimit për qytetarët shqiptarë që morën gjoba financiare për shkak të tejkalimit të afateve të qëndrimit jashtë vendit. Këto gjoba janë vendosur kryesisht në periudhën 10 Mars - 1 Qershor kur qyetarët shqiptarë u bllokuan në vende të ndryshme europiane për shkak të pandemisë së koronavirusit. Gjobat shkonin nga 600 në 1200 Euro dhe shoqëroheshin me penalitet për të drejtën e kalimit në një vend të BE-së.

Sipas dëshmive të vetë qytetarëve shqiptarë gjobat janë vendosur kryesisht nga policia greke në pikat kufitare greke me Shqipërinë, në momentin e tyre të kthimit. Pala greke i ka lidhur gjobat me tejkalimin e afatit 90 ditor të qëndrimit në një vend të Bashkimit Europian, ndërsa qytetarët shqiptarë kanë pohuar se qëndrimi jashtë afatit ka qenë i detyruar për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe pamundësisë për të udhëtuar për në kufi.

Ministria shqiptare e Financave u kërkoi qytetarëve shqiptarë të penalizuar të dërgojnë në rrugë elektronike dokumentin e gjobës, pagesën e kryer dhe një numër llogarie për të përfituar rimbursimin. Ndërkohë qytetarët shqiptarë do të duhet të ndjekin rrugën e gjykatave greke për të anulluar penalitetin që lidhet me moslejimin e tyre të hyrjes në një vend të Bashkimit Europian deri në 5 vjet, që ka shoqëruar, në jo pak raste, gjobat e policisë greke. Shqipëria, nga ana e saj, nuk lëshoi penalitete për shtetasit e huaj që shkelën afatet e qëndrimit në vend, prej pandemisë së koronavirusit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG