Lidhje

Shqipëri, edhe dy viktima të tjera nga Koronavirusi, shtatë brenda një jave


Në Shqipëri u rregjistruan sot pasdite dy viktima të tjera nga COVID 19, duke e çuar në tre numrin e atyre që kanë humbur jetën në 24 orët e fundit. Bëhet fjalë për një grua 73 vjeçare nga Shkodra “e cila vuante nga hipertensioni, e shtruar prej disa ditësh në terapi intensive në gjendje të rëndë”, njoftoi në mbrëmje Ministria e Shëndetësisë. Më vonë, një 67 vjeçar nga Tirana “pas një rëndimi të papritur, nuk arriti të mbijetojë nga disfunksioni kardio-respirator, pavarësisht terapisë intensive medikamentoze dhe ventilimit mekanik. 67-vjeçari vuante nga diabeti, fibrilacion atrial, hipertension dhe Alzheimer”, thuhet në njoftimin zyrtar. Gjatë orëve të para të ditës, po në Spitalin Infektiv, një pacient 67-vjeçar nga Tirana ka ndërruar jetë, i prekur nga COVID19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe prej disa ditësh kishte qenë në terapi intensive dhe i intubuar.

Vdekjet e ditës së enjte e çojnë në 7 numërin e viktimave gjatë javës së fundit, ndërsa në total janë 41 persona që kanë humbur jetën.

Autoritetet shëndetësore bënë të ditur gjithashtu se vijon të jetë i lartë dhe numri i rasteve të reja të konfirmuara në 24 orët e fundit. Në 9 qytete të ndryshme të vendit janë zbuluar 66 të infektuar, ku gati gjysma janë në kryeqytet, dhe “kryesisht kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive, si dhe raste të reja në proces hetimi”, deklaroi Mirela Cami, drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Që nga data 9 qershor kur nisën të regjitrohen nivele të larta ditore, numri i të infektuarve deri më sot është 525 persona, ndërsa totali që nga nisja e pandemisë në mars ka arritur në 1788 të prekur.

Edhe në spital, situata mbetet problematike, me rritje të pacientëve dhe një numër të lartë të atyre që janë në gjendje kritike. Sipas të dhënave të mesditës, në spitalin infektiv janë 55 të shtruar, nga të cilët 2 të intubuar dhe 8 të tjerë në terapi intensive.

MInistria e Shëndetësisë përsëriti sot thirrjet drejtuar qytetarëve dhe bizneseve për zbatimin e rregullave dhe protokolleve të sigurisë. “Kjo është e vetmja mënyrë që të kufizojmë përhapjen e infeksionit. Sjellja individuale është përcaktuese në këtë betejë me Covid 19”, theksoi zonja Cami.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG