Lidhje

Forcimi i lidhjeve mes brezave tek burrat afrikano-amerikanë


Ndërsa Amerika shënon Festën e Babait, një burrë nga qyteti Atlanta në Xhorxhia po jep kontributin e tij për të mbështetur burrat afrikano-amerikanë dhe djemtë e të gjitha moshave. Ai është bashkëthemelues i një grupi që synon të japë përcjellë përvojën e jetës nga një brez tek tjetri. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike Dunston nga Atlanta, synimi i këtij organizatori është dashuria për punën, e cila po e ndihmon atë të shërojë edhe plagët e tij emocionale.

Mawuli Davis është një avokat i njohur dhe me plot energji në zonën e Atlantës në shtetin Xhorxhia. Ai thotë se arritjet e tij janë si rezultat i mbështetjes nga babai që njihet me noftën e dashur“Meli i Madh”.

“Ai gjithmonë më thoshte se do jesh një djalë i shkëlqyer dhe thjesht vazhdo të punosh. Ai më mësoi etikën për punën.”

Por buzëqeshjet që shihen në fotografi nuk ishin gjithmonë të tilla. Zoti Mawuli thotë se babai nuk kishte qënë i pranishëm në jetën e tij për disa vite.

“Arrita t'i lë pas disa zhgënjime dhe dhimbje si dhe vëndime që ai kishte marrë.”

Ai vendosi që të ishte baba më i mirë për dy djemtë e tij.

“Djali im i madh u diplomua në Universitetin Howard, dhe tjetri po futet në vitin e tretë të fakultetit.”

Zoti Mawuli dhe një grup baballarësh afrikano-amerikanë ka kohë që udhëtojnë nëpër shtetin Xhorxhia në përpjekje për të frymëzuar djemtë dhe burrat afrikano-amerikanë. Tani ata po i shpenzojnë energjitë e tyre më afër shtëpisë.

“Fokusi ishte tek fëmijët e tjerë. Pastaj ne thamë se duhej të bënim diçka për fëmijët tanë, duke e përqëndruar vëmendjen tek ata, dhe ndihmuar ata të përgatiten ndërsa fillojnë rrugët e jetës.”

Zoti Mawuli doli me idenë e grupit “Black Man Lab”. Pandemia i detyroi ata të punonin përmes internetit. Para përhapjes së virusit, ata zhvillonin takime javore me rreth 150-200 djem të rinj afrikano-amerikanë për të diskutuar mbi karrierën dhe mësimet për jetën.

“Burrat afrikano-amerikanë në Amerikë dhe në mbarë botën kanë një eksperiencë shumë unike. Ne jemi historikisht të kriminalizuar dhe shpesh të nënvlerësuar. Ka shumë imazhe negative. Por organizata jonë është për të ndihmuar në ngritjen e imazhit tonë. Është për të fuqizuar afrikano-amerikanët.”

“Jam 68 vjeçar dhe kam pesë djem dhe një vajzë”, thotë A.B. Jihad. Ai ka 14 nipër dhe mbesa dhe është ndër pjestarët më të hershëm të grupit “Black Man Lab”.

“Një mik më tegoi se nuk fliste me të atin dhe kjo gjë dëgjohet shpesh. Ndaj përpiqesh të ndash me miqtë idenë se kjo lidhje me prindin duhet të rivendoset.”

Ewan Wasson është student.

“Në vjeshtë do të filloj studimet për administrim biznesi në Kolegjin Morehouse.”

Ai thotë se ky grup duket se po ndihmon në mbushjen e boshllekut pasi ai humbi babain në një moshë shumë të re.

“Ai ishte një baba shumë i mirë gjatë 12 viteve të tjetës time dhe vdiq në vitin 2014.”

Ai u lidh me grupin “Black Man Lab”pasi një mik i tregoi për të.

“Kur ke një burrë të thyer nga jeta, ke të bësh me një komunitet të thyer. Që të kemi një komunitet të shëndoshë duhet që të kesh burra të konsoliduar dhe të shëndetshëm", thotë zoti Mawuli.

Me rastin e Festës së Babait, edhe pse jeta e tij nuk ka qënë gjithmonë e përsosur, ky avokat në rrugëtim është mirënjohës të ndalet për pak kohë dhe të festojë marrëdhëniet me djemtë e tij dhe babain.

“Im atë ka bërë shumë gabime. Por në fund ia arriti. Mendoj se për këtë ai do të vlerësonte trajnerët e sportit dhe burrat që patën ndikim tek jeta e tij. Qëllimi i grupit tonë është të kemi ndikim sepse pjekuria e burrit vjen përmes një procesi.”

Mawuli Davis është i lumtur që është pjesë e atij procesi për të ndihmuar fuqizimin e familjeve të tjera dhe familjes së tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG