Lidhje

Shqipëri, emigrantët do të votojnë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm


Emigrantët shqiptarë do të mund të votojnë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Vendimi u mor mbrëmjen e së mërkurës gjatë mbledhjes së Këshillit Politik për Reformën zgjedhore, ku palët ranë dakort dhe për të gjitha ndryshimet në kodin elektoral. “Vota e emigrantëve është një e drejtë tanimë e garantuar. Ligji ka parashikuar procedurat që do të ndjekë KQZ. Vota do të bëhet e mundur pasi ata të rregjistrohen me vullnetin e tyre, të deklarojnë adresat e tyre në rregjistrin e gjendjes civile”, shpjegoi përfaqësuesi socialist Damin Gjiknuri. Nga ana e saj përfaqësuesja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari, u shpreh disi skeptike për arritjen e zbatimit të votës së emigrantëve. Sipas saj, “do të duhen shumë akte nënligjore që kjo gjë të ndodhi dhe të jetë e realizueshme në zgjedhjet e ardhshme, dhe duhet të lëvizim që tani”.

Mbledhja shënoi dhe dakortësinë përfundimtare të palëve për reformën zgjedhor. Ata mundën të kapërcenin dhe ngërçin e fundit i cili lidhet me Komisionin e ri të zgjedhjeve, organizimin e tij, përbërjen dhe formulën e përzgjedhjes së anëtarëve.

U pranua propozimi ynë i tretë, duke siguruar garanci që procesi për ngritjen e KQZ-së, do të bëjë të mundur që Komisioni të mos jetë një organ i cili do të ketë persona të cilët do të jenë të emëruar politikisht, dhe nga ana tjetër të jetë i kontrolluar nga shumica. Opozita bëri të mundur që të gjitha garancitë për zgjedhësit shqiptarë dhe për subjektet zgjedhore që garojnë të jenë të plota dhe që qeveria të mos ketë mundësi të prekë administrimin e zgjedhjeve”, deklaroi pas katër orësh diskutimesh dhe negociatash, përfaqësuesi i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi.

Sot përfunduam punën për të gjitha amendimet e Kodit Zgjedhor, ku gjetëm dakortësinë për të gjitha pikat e mbetura, qoftë për zgjedhjen e KQZ-së, formulën e kompozimit, mandatet e KQZ-së, e shumë elemtë që kishin mbetur në diskutim”, shpjegoi socialisti Gjiknuri, duke nënvizuar se “plotësuam kërkesat e opozitës, për ato garanci që kanë ekzistuar në ligjin aktual, pavarësisht se disa nga standartet e ODIHR-it, kërkonin ndryshime. Por për ne është më e rëndësishme që ligji zgjedhor të reflektojë shqetësimet, frikërat apo të kaluarën e afërt të opozitës, në mënyrë që të hyjmë në zgjedhje me një ligj të gjithëpranuar”.

Për përfaqësuesin e LSI-së Petrit Vasili, “tanimë nis një fazë e dytë, shumë e rëndësishme, që lidhet me zbatimin e refomës zgjedhore. Sipas tij do të ketë një “monitorim të rreptë që çdo fjalë e shkruar në Kod të zbatohet deri në fund, për t’i prerë duart kujtdo që do të donte të manipulonte rezultatin apo të siguronte fitoren me vota të vjedhura e të blera”.

Por dakortësia mes shumicës dhe opozitës jashtëparlamentare, nuk e mbyll përfundimisht kapakun e kalvarit të reformës zgjedhore, pasi në parlament do të duhen dhe votat e opozitës që gjendet në sallë, përfaqësuesit e së cilës këmbëngulin kryesisht për ndërhyrje në Kushtetutë, në mënyrë që të ndryshojë sistemi zgjedhor, në favor të listave të hapura. Zonja Hajdari tha se në Komisionin parlamentar të Reformës zgjedhore ata do t’i qëndrojnë besnik kërkesave të tyre. “Votat janë të unifikuara, kemi kërkesë për ndryshime kushtetuese. Po të merren të gjithë elementët bashkë do të kemi një reformë zgjedhore të suksesshme, pa këto druaj se do jemi në vendnumëro e do kemi vetëm një marrëveshje që u bë për të plotësuar disa kërkesa elementare e të parëndësishme të opozitës jashtëparlamentare”, tha zonja Hajdari.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG