Lidhje

Rama: Gati për lista të hapura, por duhet marrëveshje tripalëshe


Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama u shpreh sot i gatshëm për të mbështetur idenë e listave të hapura, por theksoi se për këtë nevojitet një marrëveshje trepalëshe, si me opozitën parlamentare ashtu dhe më ato joparlamentare. Deklaratat e tij kryeministri i bëri pas takimit të radhës me përfaqësuesit e opozitës parlamentare të cilët kërkojnë ndryshim të kushtetutës dhe këmbëngulin se në rast të kundërt, nuk do të votojnë marrëveshjen e arritur mes shumicës dhe Partisë Demokratike e LSI-së.

Socialistët kanë bërë të qartë se nuk tërhiqen nga marrëveshja me PD-në dhe LSI-në. “Për mua ajo është një bazë mbi të cilën mund të zhvillojmë më tutje procesin dhe mund të shtojmë, por nuk mund të heqim, që do të thotë që ne jemi të gatshëm të konsiderojmë një formulë hapjeje të listave, jemi të gatshëm të diskutojmë për ta formalizuar përgjatë procesit të diskutimeve dhe për të arritur në një konsensus trepalësh. Natyrisht që në një konsensus trepalësh – u shpreh më tej kryeministri - askush nuk do të marrë gjithçka që dëshiron. Të treja palët do duhet të pranojnë diçka që nuk e dëshirojnë, por nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që të gjithë të kenë zë në proces dhe të jenë pjesë në proces”.

Por opozita parlamentare është këmbëngulëse në kërkesat e saj. “Ne nuk votojmë asnjë lloj pazari që kërkon t'u shitet shqiptarëve si marrëveshje në kurriz të sovranitetit të votës së qytetarëve shqiptarë. Nuk pranojmë asnjë lloj buzëkuqi apo arnimi të Kodit zgjedhor nëse nuk preket neni 68 i Kushtetutës, nëse nuk hapen lista e kandidatëve për deputetë, dhe nëse nuk shkojnë drejt zbatimit pikë për pikë të rekomandimit të OSBE/ODIHR-itr për Kodin i cili thotë administratë zgjedhore jo më me militantë në kutitë e votimit, që rezultati të jetë i pa paragjykuar”, theksoi deputeti Myslym Murrizi, në përfundim të takimit me kryeministrin.

Zoti Rama shprehet i vetdijshëm se “marrëveshja është një pengesë e madhe për anën tjetër, për deputetët aktualë të opozitës dhe ata duhet të pajtohen me idenë që këtë pengesë duhet ta kapërcejnë. Nuk mundet dot t’i rikthehemi marrëveshjes, pavarësisht se unë jam me ta kur thonë që depolitizimi i admnistrimit do ishte shumë më mirë sesa mbajtja e partive në administrim, apo për më tepër pastaj në numërim. Jam me ta, por është një koncension, apo një lëshim shumë i madh që i kemi bërë Partisë Demokratike. Këtë lëshim besoj që ne duhet ta mbajmë, ndërkohë që për të hapur më tutje dhe për të zgjeruar më tutje procesin, miqtë e opozitës parlamentare duhet të mirëkuptojnë miqtë e opozitës joparlamentare”, theksoi kryeministri.

Koha në dispozicion nuk është e gjatë. Fundi i korrikut është momenti në të cilin do të duhet të përmbyllet procesi, ndërkohë që përballë marrëveshjes mes socialistëve dhe PD-LSI-së, gjendet nisma e deputetëve të opozitës parlamentare, votat e së cilës janë përcaktuese për miratimin e reformës zgjedhore.

XS
SM
MD
LG