Lidhje

Akuza ndaj dy shtetasve kinezë për spiunazh industrial


Departamenti amerikan i Drejtësisë
Departamenti amerikan i Drejtësisë

Dy shtetas kinezë të cilët punonin për Ministrinë e Sigurimit në Kinë janë akuzuar si organizatorë të një fushate globale për vjedhjen e pronës intelektuale dhe spiunazh industrial në shkalë globale. Sipas akuzave të ngritura, dy shtetasit kanë vënë në shenjestër qindra entitete, përfshirë laboratore kërkimore për vaksinën kundër koronavirusit në SHBA.

Ndaj Li Xiaoyu, 34-vjeç, dhe Dong Jiazhi, 33-vjeç, u ngritën 11 akuza, të cilat u bënë publike të martën, duke shënuar të parën herë kur shtetas kinezë janë përballur me akuza për akte të paligjshme që ndërthurin punën për qeverinë kineze si dhe viktimizimin e të tjerëve për përfitim personal.

“Për herë të parë po deklarojmë ndryshime që përfaqësojnë kërcënimin e përzier që paraqesin hakerët, të cilët kryejnë akte të sponsorizuara nga shteti dhe arrijnë të përfitojnë personalisht nga këto aktivitete të paligjshme,” tha Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm, John Demers.

Li dhe Dong, të cilët, siç njoftohet, kanë studiuar informatikë në të njëjtin universitet kinez, nuk dihet ku janë. Nuk janë ngritur akuza ndaj asnjë zyrtari të Ministrisë kineze të Sigurimit, të përfshirë në këtë fushatë krimi kibernetik.

Zyrtarët thonë se fushata e hakerëve filloi në 2009 dhe vazhdoi deri në fillim të korrikut kur u ngritën akuzat ndaj dy shtetasve kinezë. Ndër bizneset e shënjestruar ishin kompani teknologjike amerikane, australiane, belge, gjermane, japoneze, lituaneze, holandeze, spanjolle, koreano-jugore, suedeze dhe britanike, siç thuhet në akt-padi. Muajt e fundit, me punën që po bëhet për të zhvilluar kura ose një vaksinë kundër koronavirusit, pati përpjekje të pasuksesshme nga hakerët për të vjedhur kërkimet e tyre.

Përveç sulmeve ndaj biznezeve, hakerët kanë infiltruar edhe në llogari dixhitale të shoqatave jofitimprurëse si dhe në llogaritë e disidentëve, klerikëve apo aktivistëve për të drejtat e njeriut në SHBA, Kinë apo vende të tjera, gjë që dëshmon se punojnë për qeverinë kineze, tha zoti Demers.

“Këto ndërhyrje janë një tjetër shembull i synimit agresiv të Kinës për të kryer vjedhje përmes infiltrimeve kompiuterike, në kundërshtim me zotimet që ka bërë publikisht,” tha zoti Demers.

Akt-padia u ngrit ndërkohë që zyrtarët amerikanë u kanë rënë këmbanave të alarmit për përpjekjet që po bën Kina për të vjedhur pronën intelektuale amerikane në mënyrë që të dëmtojë statusin e Shteteve të Bashkuara si superfuqia e vetme e botës.

Më 7 korrik, drejtori i FBI-së, Christohper Wray e quajti spiunazhin kinez “kërcënimin më të madh afatgjatë ndaj informcionit, pronës intelektuale si dhe vitalitetit ekonomik të vendit tonë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG