Lidhje

Reforma zgjedhore, Rama firmos me opozitën parlamentare


Në Shqipëri, shumica socialiste mori mbështetjen e një pjese të opozitës parlamentare për votimin më 23 korrik të marrëveshjes që ajo ka firmosur me Partinë Demokratike dhe LSI-në për ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor, ndërsa u zotua të votojë një javë më pas në 30 korrik, ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugën listave të hapura dhe shmangien e koalicioneve parazgjedhore në formën që ato kanë patur deri më tani. Opozita jashtë parlamentare reagoi ashpër duke folur për “një akt të rrezikshëm me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e vendit”.

Në takimin me drejtuesit e grupeve parlamentare të opozitës, ku merrte pjesë dhe kryeministri Edi Rama palët ranë dakort jo vetëm për dy datat në të cilat do të votohet si marrëveshja e 5 Qershorit dhe ndryshimet kushtetuese, por dhe të “vijojnë dialogun midis grupeve parlamentare si dhe të nxisin e mbështesin dialogun midis tyre dhe opozitës jashtëparlamentare, në një proces gjithëpërfshirës me synim arritjen e një dakordësie sa më të gjerë për reflektimin në Kodin Zgjedhor të amendamenteve kushtetuese”.

Reforma zgjedhore, PS firmos me opoziten parlamentare
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:47 0:00

Por kryetari i grupit Demokrat, Myslim Murrizi, firmosi tekstin me shënimin se nuk bie dakort për votimin e Marrëveshjes së 5 qershorit. Por firma e drejtuesve të dy grupeve të tjera parlamentare, duket se i jep qetësi shumicës për të patur votat e mjaftueshme për ta kaluar atë më 23 korrik. “Kemi patur sinjale inkurajuese nga kryetarët e dy grupeve të tjera, e besoj, dhe pse do ishte mirë që dhe grupi i zotit Murrizi të bashkohej, kam bindjen se do ta kalojmë ligjin, pavarësisht faktit që në anën e opozitës parlamentare ka një bashkësi individësh me grupe parlamentare e ka dhe individë që s’kanë grupe”, deklaroi kryeministri Rama.

Shumica nuk ka asnjë mëdyshje as për të shkuar drejt ndryshimeve kushtetuese, pavarësisht kundërshtimit të fortë të opozitës jashtë parlamentare e cila e sheh si një shkelje njëanshme të Marrëveshjes së 5 qershorit. “Eshtë parlamenti që ka të drejtën të vendosë për gjithshka që është përtej kornizës së 5 Qershorit dhe patjetër që jemi të gatshëm, e përsëris, që nesër, pa humbur kohë të mblidhemi në këshillin politik. Partia Demokratike, nuk mund të arrijë të imponojë mosekzistencën imagjinare të një parlamenti që i ka të gjithë atributet dhe i ka të gjithë ato që i duhen, për të çuar përpara në funksion të shqiptarëve të përmirësimit të procesit zgjedhor, pjesmarrjes më të madhe të qytetarëve të gjithë procesin politik.”, u shpreh zoti Rama pas takimit, duke i bërë thirrje kreut demokrat Lulzim Basha, të mos refuzojë tryezat dhe komunikimin.

Menjëherë më pas, përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik Damian Gjiknuri i është drejtuar zyrtarisht edhe opozitës jashtë-parlamentare për t’u mbledhur këtë të mërkurë pasdite.

REAGIMI I OPOZITES SE BASHKUAR

Opozita përsëriti qënrimin e saj të prerë se “ndryshimi i njëanshëm kushtetues për ndalimin e koalicioneve zgjedhore zhbën të dyja marrëveshjet politike për zgjedhjet, atë të 14 Janarit dhe atë të 5 Qershorit. Akti i sotëm është dëshmi e planit diabolik të Edi Ramës që të miratojë fillimisht për fasadë Marrëveshjen e 5 Qershorit, të vërë në lojë partnerët tanë strategjikë, SHBA dhe BE dhe vetëm 1 javë më vonë ta zhbëjë marrëveshjen me ndryshime të njënashme kushtetutese, që ndalojnë koalicionet si subjekt zgjedhor”.

Sipas opozitës “Edi Rama gënjen, kur thotë se po hap listat, sepse pjesën fituese të tyre, 1/3 e listës, e mban të mbyllur, duke dalë zbuluar se i vetmi qëllim është ai i ndalimit të koalicioneve si subjekt zgjedhor”.

Ajo paralajmëron se “zhbërja nga Edi Rama i marrëveshjeve të 14 Janarit dhe 5 qershorit përbën një akt të rrezikshëm me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e vendit. Ky akt i paprecedentë në 30 vite pluralizëm është, po kështu, një thyerje e rëndë e besimit të partnerëve strategjikë SHBA dhe BE që u investuan, përshëndetën dhe vazhdojnë të insistojnë në zbatimin e Marrëveshjes së 5 qershorit pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që e shkatërrojnë atë”.

Mbetet për t’u parë nëse opozita do të ulet në tryezën e Këshillit politik, për të diskutuar ndryshimet kushtetuese, të cilat detyrimisht do të prekin sërish Kodin Zgjedhor dhe në disa pika të dakortësuar në Marrëveshjen e 5 qershorit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG