Lidhje

Shkup, Ali Ahmeti ftohet për të dëshmuar në Hagë


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti është ftuar si dëshmitar nga Dhomat e Specializuara për Kosovën me seli në Hagë. Zoti Ahmeti njoftimin e ka bërë vetë në Facebook, ku shkruan se pa hamendje e ka pranuar ftesën dhe ka vendosur “kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë”.

Ai shkruan më tej se sundimi i ligjit dhe arritja e drejtësisë së mirëfilltë joselektive, vendore dhe ndërkombëtare, janë synim dhe detyrim i tij i përhershëm në të gjithë veprimtarinë e tij.

Zoti Ahmeti, i cili ishte themelues i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që luftoi kundër forcave qeveritare maqedonase në vitin 2001, ka qenë më parë anëtar i lëvizjeve ilegale shqiptare në Zvicër dhe bashkëpunëtor i afërt me drejtuesit e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës. Pas konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni (të Veriut) ai formoi partinë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe për 16 vjet ndodhet në pushtet.

“Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit”, shkruan ai në Fecebook, por pa dhënë hollësi se kur do të shkojë në Hagë për të dëshmuar.

XS
SM
MD
LG