Lidhje

Roli i një mësuesje me studentët e saj gjatë pandemisë


Roli i një mësuesje me studentët e saj gjatë pandemisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:45 0:00

Kur koronavirusi u përhap në qytetin El Paso të shtetit Teksas, arsimtarët zhvëndosën në internet klasat dhe mësimdhënien. Një arsimtare ishte e vëndosur që mësimin nga distanca ta bënte sa më të pëlqyeshëm për studentët e saj, duke mbajtur lidhjet e ngushta me studentët që ajo kishte krijuar prej vitesh me radhë. Mënyra e saj krijuese e mësimdhënies dhe mbajtja e lidhjeve me studentët e klasës së tetë, nxiti një mbështetje të pashembullt nga komuniteti i saj dhe më tej.

Mësuesja Michelle Sandoval Villegas e shklollës Parkland është e pasionuar pas studentëve të saj të klasës së tetë.

Ajo jep mësim në të njëjtën shkollë ku ajo studioi vite më parë.

“Kur u diplomova me rezultate të shkëlqyera më ofruan disa bursa të ndryshme. Por e dija në zemrën time, dhe gjithmonë i kam thënë vetes se do të kthehem tek komuniteti. Do të jap mësim tek lagja ime, kjo është ajo që doja të bëja.”

Shumë prej nxënësve të saj vijnë nga familje me të ardhura të pakta.

“Kur u emërova në këtë shkollë, shumë njerëz më thanë se gjendet në një zonë jo të mirë të qytetit. Por unë jam nga këtu dhe ndjehem krenare që kam studiuar në këtë shkollë. Dua që nxënësit e mi të ndjehen krenarë për prejardhjen e tyre.”

Pandemia i detyroi shkollat të kalonin tek mësimdhënia përmes internetit.

“Fillimisht u përballa me sfida dhe pengesa se si do të krijoja në internet të njëjtin mjedis si në shkollë. Ndaj thashë se nuk do të ndryshoj fare se kush jam, do të jem njëlloj si më parë. Nuk kam pushuar muzikën me zë të lartë, shakatë, apo gjërat e tjera që bënin kur ishim në klasë.”

Por gjatë mësimit përmes internetit ajo vuri re diçka interesante.

“Vura re se studentët nuk vinin në klasën virtuale vetëm për të mësuar, por edhe për t’u përshëndetur. Atyre u kisha munguar unë sikurse më kishin munguar edhe ata mua.”

Asaj i lindi ideja për një takim javor social përmes internetit.

“Nuk flasim për shkollën, vetëm për filmat, lojërat elektronike, për kafshët shtëpiake apo vëllezërit dhe motrat. Bisedojmë për një orë dhe argëtohemi.”

Cielo Villalobos ishte një prej nxënësve të saj.

“Ishte kënaqësi të bisedoje në takimet virtuale me të.”

Arsimtarja Villegas po ashtu dëshironte të ulte barrën financiare për disa prej studentëve të saj.

“85 përqind e studentëve nuk kanë burimet e duhura financiare ose kanë vetëm një prind. Disa prej tyre vijnë nga jetimoret dhe madje ka edhe nga ata që janë të pastrehë dhe kalojnë nga një strehimore tej tjetra.”

Asaj i lindi ideja për krijimin e paketave të ndihmës.

“Nga ora sociale e dija që krijimi i një llotarie kishte sukses. Nxënësve u pëlqente kur merrnin me postë diçka nga unë. Ndaj mendova të krijonim paketa ndihme për ta.”

Mësuesja e postoi idenë në internet.

“Krijova një listë në Amazon me gjërat e nevojshme. Reagimi ishte fenomenal. Brenda javës së parë grumbulluam 40 artikuj.”

Paketat e ndihmave, thotë ajo, kanë gjëra të thjeshta por domethënëse.

“Në paketa shkruaj diçka motivuese, karamele, lapsa, fletore apo gjera të kësaj natyre. Çdo gjë që mund t’i ndihmojë ata duke u treguar se jam këtu dhe ende kujdesem për ta dhe i dua shumë.”

Bizneset lokale po ashtu dhanë ndhmën e tyre për të dërguar rreth 150 pako dhe ushqime.

“Disa nga prindërit më telefonojnë dhe duke qarë tregojnë se sa nevojë kishin për këto pako.”

Ndërsa afroi fundi i vitit shkollor, mësuesja organizoi takimin e fundit social, dhe në fund i befasoi të gjithë studentët e saj me nga një pako, që ajo u dërgoi me postë. Cielo Villalobos është një nga studentet e saj.

“Nuk ishte një pako e madhe, por diçka e vogël që kishte lidhje me personalitetet tona.”

Arsimtarja shpreson që mësimet e jetës që u ka dhënë studentëve të nguliten tek ata përgjithmonë.

“Dua të rrënjos tek këta studentë se kur kontribuon, komuniteti do të ofrojë shpresë dhe dashuri atëherë kur nuk e pret. Sigurisht që po arsimojmë studentët që të jenë të suksesshëm në jetë dhe nga ana akademike, por mbi të gjitha, qënie njerëzore.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG