Lidhje

Haxhillëku virtual në kohën e koronavirusit 


Haxhillëku virtual, në kushtet e pandemisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:30 0:00

Haxhillëku virtual, në kushtet e pandemisë

Në Mekë të Arabisë Saudite, vendi më i shenjtë i fesë islame, filluan të arrijnë të mërkurën besimtarët me maska në fytyrë dhe në grupe të vogla për të filluar një haxhillëk mjaft të veçantë dhe në përmasa të kufizuara për shkak të pandemisë.Për herë të parë në historinë e Arabisë Saudite, nuk do ketë pelegrinë të huaj që do të vijnë për haxhillëk, si rrjedhojë e kufizimeve që ka bërë të nevojshme pandemia. Në këtë situatë, një studio e produksioneve grafike në Gjermani ka krijuar një program kompiuterik që u lejon besimtarëve myslimanë të ndjekin haxhillëkun virtual.

Pelegrinët myslimanë kanë filluar të mbërrijnë në Mekë për një përvojë shumë më të kufizuar se vitet e mëparshme.

Zakonisht haxhillëku mbledh 2.5 milionë besimtarë për pesë ditë lutjesh e ritualesh intensive në një nga grumbullimet më të mëdha në botë.

Këtë vit, Ministria saudite e Haxhillëkut parashikon pjesëmarrjen e 1 mijë - 10 mijë besimtarëve që janë aktualisht me banim në Arabinë Saudite.

Për besimtarët e tjerë, studioja Bigitec në Bon të Gjermanisë po përpiqet të ofrojë përvojën e haxhillëkut përmes një platforme dixhitale.

Përdoruesit mund të futen në programin "Muslim 3D" që i ngjan një loje elektronike, por është në fakt një vizitë virtuale që të njeh me ritualet, historinë dhe praktikat e haxhillëkut.

Drejtori menaxhues i kompanisë, Bilal Chbib, thotë se përvoja është një përzierje e një loje elektronike me një vizitë virtuale në muze:

"Më lindi ideja rreth 10 vjet më parë, pasi në të kaluarën kam punuar në krijimin e lojërave elektronike. Doja të krijoj diçka që shpjegon historinë dhe kulturën time”.

Vajtja në Mekë për Haxhillëk është një nga detyrimet qendrore të fesë islame. Të gjithë besimtarëve myslimanë që kanë aftësitë fizike u kërkohet të marrin pjesë të pajtën një herë në jetë. Megjithëse vizita virtuale nuk krahasohet me përvojën reale, ajo ofron mundësinë më të mirë pa rritur rrezikun nga infektimi:

"Për arsye të koronavirusit, produkte si programi ynë kanë fituar popullaritet pasi në vend që të shkojnë fizikisht në Mekë, besimtarët hapin kompiuterin dhe zhvillojnë një vizitë virtuale,” thotë zoti Chbib.

Arton Rexhëbogaj, është drejtori artistik i kompanisë.

"Kemi katër personazhe meshkuj dhe katër femra, të etnive të ndryshme. Ata shërbejnë si bazë për krijimin e personazheve të tjera, për çfarëdo që na nevojitet”.

Stafi krijues thotë se janë përpjekur me të gjitha mundësitë për të krijuar një program që përcjell me saktësi ritualet. Ata kanë përdorur fotografi të pelegrinazheve të kaluara dhe lutjeve të besimtarëve për të riprodhuar vizitën në Qabe që t’u ofrojnë përdoruesve një përvojë që i përngjet sa më shumë realitetit.

Deri tani “Muslim 3D” është shkarkuar nga të paktën 1 milion përdorues në mbarë botën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG