Lidhje

Maskat me detyrim në Dhomën e Përfaqësuesve


Dhoma e Përfaqësuesve filloi të enjten të zbatojë rregulloren e re të vënies së maskës me detyrim, pas urdhrit të kryetares së dhomës, Nancy Pelosi. Zonja Pelosi po ndesh tani presion në rritje për të trajtuar shqetësimet për sigurinë shëndetësore në një ndër komplekset e zyrave më të famshme në SHBA.

Kryetarja Nancy Pelosi e nxori urdhrin të mërkurën në darkë, pasi ligjvënësi Loui Gohmert rezultoi pozitiv për koronavirus. Zoti Gohmert ishte parë para pak ditësh në mjesidet e Kongresit pa maskë.

Grupi mediatik Politico ishte i pari që raportoi për diagnozën, e cila u konfirmua para se ligjvënësi të udhëtonte të mërkurën së bashku me Presidentin Trump. Zoti Gohmert u tërhoq nga planet e udhëtimit.

Louie Gohmert, 28 korrik 2020
Louie Gohmert, 28 korrik 2020

Pas diagnozës, zoti Gohmert tha për kanalin KETK në Teksas se kishte vënë maskë në disa raste gjatë javës së fundit dhe ishte i paqartë: “Ndoshta duke vënë maskën, mund ta kem infektuar me duar dhe më pas kam thithur virusin me frymarrje”.

Muajin e kaluar ai tha në një intervistë me rrjetin CNN se nuk vinte maskë pasi testohej rregullisht.

Të martën ligjvënësi 66-vjeçar nga Teksasi mori pjesë në një seancë me pyetje përgjigje me Prokurorin e Përgjithshëm, William Barr, gjatë së cilës kryetari i komisionit, demokrati Jerry Nadler kritikoi disa republikanë se nuk kishin vënë maska.

Politico po ashtu raportonte se pasi ishte konfirmuar diagnoza zoti Gohmert ishte kthyer në zyrën e tij në Kongress për të informuar personlisht stafin e tij.

Pas njoftimit për diagnozën, udhëheqësi i shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Steny Hoyer kritikoi ligjvënësin Gohmert dhe shumë republicanë të tjerë se nuk vënë maskë vazhdimisht.

Në bazë të politikës së re, të gjithë anëtarët e Kongresit dhe stafi i tyre duhet të vënë maskë gjatë gjithë kohës që ndodhen në mjediset dhe zyrat e Kongresit.

Rregullorja u vu në zbatim bazuar në udhëzimet e mjekut të Kongresit dhe do të mbetet në fuqi “për sa kohë që të jetë e nevojshme”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG