Lidhje

Pakistan, vritet në sallën e gjyqit shtetasi amerikano-pakistanez


Shtetet e Bashkuara denoncuan vrasjen brenda një sallë gjyqi të një qytetari amerikan me origjinë nga Pakistani i cili po gjykohej për blasfemi në Peshawar. Tahir Ahmed Naseem, 47-vjeç dhe banues në Ilinois u qëllua disa herë përpara gjykatësit gjatë një seance të mërkurën në qytetin veriperëndimor të Peshawar-it. Ai po gjykohej nën akuzën se pretendonte të ishte një profet i Islamit, një krim i dënueshëm me vdekje sipas ligjeve të blasfemisë së Pakistanit.

"Jemi të tronditur, të trishtuar e të zemëruar që qytetari amerikan Tahir Naseem u vra brenda një sallë gjyqi në Pakistan", thuhej në një deklaratë të enjten të Departamentit amerikan të Shtetit.

Proçesi gjyqësor ndaj zotit Naseem nisi në fillim të 2018-s, kur ai u arrestua duke u akuzuar se pretendonte të ishte "i dërguari i fundit i Zotit" gjatë bisedave në Facebook me miqtë e tij në Pakistan.

"Zoti Naseem ishte joshur që të shkonte në Pakistan duke lënë shtëpinë e tij në Illinois nga individë që më pas përdorën ligjet e blasfemisë për ta futur në kurth", thuhej në deklaratën e Departamentit të Shtetit. Qeveria amerikane kishte ofruar ndihmë konsullore për viktimën dhe familjen e tij dhe u kishte "bërë thirrje zyrtarëve të lartë pakistanezë për të parandaluar këtë tragjedi të turpshme", thuhej gjithashtu në deklaratë.

Policia pakistaneze e arrestoi menjëherë sulmuesin i cili tha se e kishte kryer krimin për shkak se zoti Naseem ishte armik i Islamit dhe kishte kryer blasfemi.

Jemi të pikëlluar sikurse familja e zotit Naseem. I bëjmë thirrje Pakistanit që të reformojë menjëherë ligjet e tij shpesh abuzive mbi blasfeminë dhe sistemit e tij gjyqësor, të cilat lejojnë që të ndodhin abuzime të tilla si dhe të sigurojë që i dyshuari të ndiqet penalisht bazuar në ligj”, thuhej më tej në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Zakonisht gjykat në Pakistan janë të rrethuara nga forca të shumta sigurie kur bëhet fjala për çështje që lidhen me blasfeminë si një temë jashtëzakonisht e ndjeshme në Pakistan. Policia tha se ishte duke zhvilluar një hetim për të përcaktuar se si sulmuesi kishte arritur të futej i armatosur në sallën e gjyqit.

Sam Brownback, ambasadori i posaçëm amerikan mbi Lirinë Fetare Ndërkombëtare, tha se ishte i shqetësuar nga njoftimet se një qytetar amerikan u vra ndërsa ishte duke u gjykuar për blasfemi.

Akti i fundit i dhunës i lidhur me ligjet e blasfemisë së Pakistanit ka bërë që të ripërsëriten thirrjet për reformimin e tyre për të parandaluar keqpërdorimin e për të parandaluar incidente të tilla. Por përpjekjet e qeverive të njëpasnjëshme për të reformuar ligjet kanë dështuar nën presionin e grupeve islamike në vend.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG