Lidhje

Përhapja e Covid-19 në ligën e bejsbollit dhe gjurmimi i kontakteve


Koronavirusi detyroi një ndryshim tjetër të orarit të ndeshjeve në ligën amerikane të bejsbollit, duke e çuar në tetë numrin e ekipeve të ligës të prekur nga Covid-19 në nëntë ditët e para të sezonit. Ndeshja e së premtes mes ekipeve nga Sejnt Luis dhe Miluoki u shty pasi dy lojtarë rezultuan pozitivë në testet për koronavirus. Liga amerikane e bejsbollit ka krijuar një sistem për gjurmimin e kontakteve të anëtarëve të ekipeve të prekur nga Covid-19 për të frenuar përhapjen e virusit.

Pas një testi pozitiv, gjurmuesit e kontaktit menjëherë kanë për detyrë të hetojnë kontaktet e bartësit të koronavirusit bazuar në sistemin e krijuar nga liga amerikane e bejsbollit. Hetimi nuk përfshinë ata që nuk janë pjesë e personelit të ekipit, si punonjësit e hoteleve, por bëhen përpjekje për të paralajmëruar institucionet e shëndetit publik, si dhe kompanitë e angazhuara në ligë, tha Jake Seiner, gazetar sportiv i agjencisë së lajmeve Associated Press.

Zyrtarët e ligës së bejsbollit në qershor kanë kërkuar që secili ekip të emëronte të paktën dy punonjës për gjurmimin e koronavirusit.

“Në kuadër të planit të tyre për të operuar një sezon me 60 në vend të 80 ndeshjeve, liga e bejsbollit krijoi një sistem për gjurmimin e kontakteve. Ata emëruan disa njerëz në zyrën e komisionerit të ligës për të monitoruar programin”, tha zoti Seiner.

Pjesë e këtij sistemi janë edhe masat e forta të vendosura në stadiume për distancim fizik dhe përdorimin e maskave në rastet kur distancimi fizik është i pamundur. Disa ekipe kanë blerë pajisje që i testojnë lojtarët në stadiume dhe ofrojnë rezultate të shpejta.

Megjithatë, zyrtarët e ligës kanë paralajmëruar ekipet se këto lloje të testeve nuk janë të sakta, dhe rezultatet e tyre nuk mund të përdoren për t’i dhënë dritën jeshile një lojtari ose trajneri për të marrë pjesë në një ndeshje. Rezultatet për testet e miratuara nga liga e bejsbollit zakonisht marrin kohë rreth 24 orë.

Pavarësisht testeve të shpeshta dhe masave të tjera për të frenuar përhapjen e Covid-19 në mesin e lojtarëve dhe personelit të ekipeve, sistemi i ligës së bejsbollit nuk është i përkryer. Lojtarët e infektuar mund të mos jenë të sinqertë në lidhje me aktivitet ose veprimet e tyre gjatë hetimit për gjurmimin e kontakteve nga frika se ata mund të ndëshkohen nga trajnerët dhe drejtuesit e ekipeve. Edhe në rastet kur ata janë të sinqertë, gjurmimi i të gjitha lëvizjeve dhe identifikimi i kontakteve është i vështirë. Lojtarët nuk e mbajnë mend gjithmonë çdo ndërveprim që mund të kenë patur në 48 orët paraprake gjatë intervistave fillestare.

"Po bëhet një problem me të vërtetë kompleks. Unë nuk mendoj se ka ndonjë tregues se liga po mendon t’i jap fund sezonit bazuar në këtë. Ata po këmbëngulin se protokollet që ata kanë vendosur do të jenë në gjendje t'i lejojnë ata të vazhdojnë sezonin, madje edhe nëse do të ketë një vazhdimësi të testeve pozitive", tha Jake Seiner, gazetar sportiv i agjencisë së lajmeve Associated Press.

Sipas politikës së ligës së bejsbollit, njerëzit që zbulohet se kanë qenë në kontakt me një lojtar të infektuar duhet të vetëizolohen. Ata do të mund të dalin nga vetëizolimi vetëm pas testimeve negative për Covid-19.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG