Lidhje

Shtëpia e Bardhë, demokratët synojnë marrëveshje për paketën e ndihmës deri në fund të javës


Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe demokratët më të lartë të kongresit takohen të mërkurën përsëri, ndërsa përpiqen të arrijnë një marrëveshje për një paketë të re ndihme për koronavirusin, deri në fund të javës.

Sekratari i Thesarit, Steven Mnuchin tha pas negociatave të së martës se synimi ishte finalizimi i propozimin në ditët në vazhdim, në mënyrë që Kongresi të mund të votojë javën e ardhshme.

E mërkura është e treta ditë radhaz e bisedimeve mes zotit Mnuchin, shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe udhëheqësit të demokratëve në Senat, Chuck Schumer.

“Diskutuam me hollësi çështjet një nga një. Ata bënë disa lëshime, gjë që ne e vlerësuam. Ne bëmë disa lëshime që u ata i vlerësuan. Jemi ende larg për shumë nga çështjet kryesore, por po vazhdojmë diskutimet", tha senatori Schumer.

Zoti Meadows e cilësoi takimin e së martës, "ndoshta më produktivin deri sot".

Demokratët kërkojnë 3.4 trilionë dollarë shpenzime ndërsa republikanët duan ta kufizojnë atë në 1 trilion dollarë.

Ndër çështjet në diskutim është ofrimi i një ndihme financiare për të gjithë amerikanët, garantimi i fondeve për ata amerikanë që nuk paguajnë dot qiranë me qëllim shmangien e dëbimeve, ndihmë për shërbimin postar si dhe adresimin e çështjes së pagesës prej 600 dollarësh në javë që ofronte qeveria federale për amerikanët e papunë, krahas asistencës në rast papunësie. Afati i kësaj pagese skadoi javën e kaluar.

Udhëheqësit republikanë kanë parashtruar propozimin për miratimin e një pakete të vogël ndihme që adreson disa çështje, dhe lënien e negociatave për të tjerat për një kohë më të vonshme.

Demokratët e kanë hedhur poshtë këtë ide, duke argumentuar se qeveria federale duhet të ndërmarrë masa të guximshme për të përballuar sfidat ekonomike të vendit.

Shtëpia e Bardhë i kritikoi demokratët për bllokimin e një pakete të përkohëshme të premten që do të kishte zgjatur me një javë ndihmën për papunësinë, duke u dhënë udhëheqësve të kongresit më shumë kohë për të negociuar.

Por demokratët janë të ndërgjegjshëm se kanë një pozicion më të fortë për negociatat, meqë republikanëve të senatit, u duhen votat e tyre për miratim.

Kreu i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell e pranoi të martëm se nuk do të ketë mbështetjen e plotë të republikanëve, siç e kishte në mars kur Kongresi ra dakord me shpejësi për një paketë masive ndihmash në fillim të krizës.

“Nuk do të ketë një konsensus të plotë mes senatorëve republikanë. Jemi të ndarë kur bëhet fjalë për çka duhet të bëjmë. Ne shpresojmë të kemi një propozim dypartiak të negociuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe ekipi i tij dhe shumica demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, për të rënë dakord për një paketë që të jetë e pranueshme nga një numër i konsiderueshëm republikanësh", tha zoti McConnell.

Zoti Mnuchin la të kuptohet se kishte hapësirë për fleksibilitet, duke u thënë gazetarëve të hënën:

"Ne jemi të hapur për një paketë më të gjerë, nëse mund të arrijmë një marrëveshje", tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG