Lidhje

Pasojat e COVID 19, BSH: Rikuperimi i ekonomise pritet të jetë i ngadaltë


Efekti i pandemisë në ekonomi do të vijë progresivisht drejt reduktimit gjatë tremujorëve në vijim, ndonëse rikuperimi pritet të jetë i ngadaltë”: ky është parashikimi I Bankës së Shqipërisë për ecurinë ekonomike të vendit, nën efektet e pandemisë së Koronavirusit. “Në skenarin bazë, aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet në territor negativ gjatë dy tremujorëve në vijim, dhe t’i kthehet rritjes në vitin 2021”, deklaroi të mërkurën në përfundim të mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës, guvernatori Gent Sejko. Sipas tij “ky skenar është i kushtëzuar nga ecuria e mëtejshme e pandemisë, nga shpejtësia e përmirësimit të aktivitetit ekonomik në partnerët tanë tregtarë, nga ndikimi i pandemisë në sjelljen e ardhshme të biznesit dhe konsumatorit, si dhe nga efektiviteti në kohë i masave fiskale, monetare dhe financiare, të ndërmarra deri tani”.

Në tremujorin e parë ekonomia shqiptare, u tkurr me 2.5 përqind, si pasojë edhe e efektit të tërmetit të 26 nëntorit të vitit të shkuar, ndërsa masat shtrënguese për parandalimin e COVDI 19-ës nisën të zbatohen në gjysmën e dytë të marsit. Sipas Bankës së Shqipërisë “të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se aktiviteti ekonomik do të pësojë një rënie dukshëm më të fortë në tremujorin e dytë. Pandemia – vlerëson Banka - ka sjellë një goditje të rëndë për ekonominë shqiptare, si në nivel makro ashtu dhe në nivel biznesesh e familjes individuale”.

Në analizën e Bankës Qendrore “në terma makro, rënia e kërkesës për mallra e shërbime dhe mbyllja e përkohshme apo rritja e kostove për disa kategori aktivitetesh, është pasqyruar në një sërë treguesish ekonomikë. Inflacioni shënoi rritje të lehtë në tremujorin e dytë, duke regjistruar një nivel mesatar prej 1.9 përqind. Po ashtu, rënia e aktivitetit ekonomik pritet të shoqërohet me ulje të punësimit dhe rritje të papunësisë, me zgjerim të deficitit të llogarisë korrente dhe rritje të borxhi publik gjatë vitit 2020”.

Ndërsa në terma mikroekonomikë “rënia e kërkesës dhe e shitjeve, ka sjellë vështirësi financiare për shumë biznese e familje shqiptare, si pasojë e tkurrjes së të ardhurave dhe e humbjes së vendeve të punës. Këto vështirësi, si dhe pasiguria e perceptuar nga operatorët ekonomikë, tentojnë të zgjasin në kohë efektet e goditjes, nëpërmjet ngadalësimit të konsumit dhe investimeve private”.

Në përgjigje të situatës së krijuar Banka Qendrore, uli normën bazë të interesit, duke rritur kështu stimulin monetar dhe injektimin e likuiditetit, me qëllim uljen e kostove të financimit dhe rritjen e masës monetare në ekonomi. Në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë, Banka e Shqipërisë ndërmori dhe ndryshime të kuadrit rregullator, të cilat kanë lehtësuar shtyrjen e përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi. “Në përgjigje të tyre, tregjet financiare shfaqen relativisht të qeta. Kostot e financimit të sektorit privat mbeten të ulëta, kursi i këmbimit është i qëndrueshëm, ndërsa sektori bankar vijon të shfaqë tregues të mirë likuiditeti dhe kapitalizimi. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se sektori bankar ka dhënë një kontributin të qenësishëm në drejtim të amortizimit të goditjeve. Kredia për sektorin privat vijoi të shënojë rritje në tremujorin e dytë, duke kulmuar në nivelin 7% në muajin qershor dhe duke i mbështetur bizneset dhe familjet shqiptare me likuiditetin e nevojshëm për përballimin e krizës. Gjithashtu, ky sektor ka marrë mbi vete një pjesë të kostos financiare të goditjes, duke lehtësuar më tej barrën për sektorin privat”, deklaroi guvernatori Sejko

Institucionet ndërkombëtare parashikojnë se ekonomia shqiptare do të rregjistrojë një recesion të ndjeshëm në vitin 2020. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore vlerësojnë se rënia ekonomike do të jetë në nivelet e –5 përqind. Sipas Bankës Botërore në një skenar më negative, ekonomia shqiptare mund të bjerë deri në 6,9 përqind. Ndërsa parashikimet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, janë dhe më të zymta. Ato flasin për një recesion deri ne 9 përqind. Megjithatë të gjitha kanë një emërues të përbashkët, një ringritje të shpejtë të ekonomisë gjatë vitit të ardhshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG