Lidhje

Udhëheqësit afganë: Bisedimet e paqes me Talebanët fillojnë javën tjetër


Udhëheqësit e lartë të Afganistanit njoftuan të enjten se bisedimet e paqes me kryengritësit talebanë të mbështetura nga SHBA-ja, do të fillojnë javën e ardhshme për të negociuar një zgjidhje politike për konfliktin e gjatë në të cilin është përfshirë vendi. Dialogu i propozuar buron nga një pakt i rëndësishëm që Shtetet e Bashkuara mbyllën me Talebanët në muajin shkurt, për të ndihmuar në një zgjidhje të negociuar të luftës afgane, ndërhyrja më e gjatë ushtarake amerikane jashtë vendit.

Abdullah Abdullah, i cili udhëheq Këshillin e Lartë për Paqe Kombëtare, tha në Kabul se ekipi i tij "është i përgatitur mirë" për të hyrë në ato që ai e quajti negociata brenda-afgane. Disa orë më vonë ministri i Jashtëm i Afganistanit Haneef Atmar konfirmoi në një forum në internet të mbajtur në Uashington se qeveria e tij po bën përpara për të zgjidhur përfundimisht mosmarrëveshjet mbi shkëmbimin e të burgosurve, e cila ka penguar Talebanët të hyjnë në bisedime.

"Ne jemi optimistë që javën e ardhshme do të kemi përparim të madh në këtë drejtim. Pengesat e fundit për sa i përket lirimit të të burgosurve po adresohen me sukses. Shpresojmë që së shpejti do t'u japim fund të gjitha atyre pengesa fillestare në negociatat për paqen", tha zoti Atmar në fjalimin e tij në Institutin amerikan për Paqe.

Zoti Atmar theksoi me një optimizëm të kujdesshëm se nuk do të ketë më ndonjë pengesë të mëtejshme në rrugën e bisedimeve. Ai gjithashtu tha se priste që Talebanët të përmbushnin premtimin e tyre se të burgosurit e liruar nuk do të kthehen në fushë-betejë ndërsa shtoi se të burgosurit janë një grup "shumë i rrezikshëm".

"Me lirimin e grupit të fundit të të burgosurve, do të kemi liruar deri në fund të javës tjetër, mbi 5.600 të burgosur talebanë ... Së dyti, ne duam një ulje të dhunës nga ana e tyre (talebanëve)", theksoi ministri i Jashtëm afgan.

Zëdhënësi i talebanëve Suhail Shaheen e përshëndeti menjëherë njoftimin e së enjtes të qeverisë afgane, por duke treguar kujdes.

"Topi ndodhet në gjykatën e tyre dhe nëse ata kanë vendosur të lirojnë të burgosurit dhe të largojnë pengesën e fundit në rrugën e negociatave, atëherë është me të vërtetë një lajm i mirë", tha zoti Shaheen për "Zërin e Amerikës".

Sipas marrëveshjes së arritur më 29 shkurt mes SHBA-së dhe grupit Taleban kërkohet që kryengritësit të lirojnë 1.000 forca sigurie afgane. Kabulit, i cili nuk është pjesë e paktit, iu kërkua të lirojë 5.000 të burgosur Talebanë për të hapur rrugën që të dy kundërshtarët të ulen në tryezën e bisedimeve. Ndërsa talebanët tashmë kanë liruar të burgosurit për të përmbushur detyrimin e tyre, qeveria afgane i ka liruar pothuajse të gjithë përveç 320 luftëtarëve kryengritës, duke përmendur shqetësimet mbi sigurinë.

Kabuli këmbëngul gjithashtu se qeveritë e huaja ishin kundër lirimit të disa prej të arrestuarve lidhur me dyshime për vrasjen e shtetasve të tyre. Talebanët sqaruan në një deklaratë të fundit se fillimi i negociatave të brendshme nuk do të thotë armëpushim ose zvogëlim i dhunës nga kryengritësit, duke thënë se tema do të jetë pjesë e axhendës së bisedimeve.

Grupi kryengritës gjithashtu ka deklaruar se udhëheqja e tij ka udhëzuar të gjithë talebanët e liruar nga Kabuli që të kthehen tek familjet e tyre dhe të mos përfshihen në luftime.

Nga ana e saj SHBA ka ulur tashmë numrin e forcave të saj në Afganistan në rreth 8.600 që nga nënshkrimi i marrëveshjes me Talebanët. Presidenti Donald Trump tha në fillim të këtij muaji se numri i trupave amerikane do të ulet në rreth 4,000 apo 5,000 gjithësej, deri në zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor.

Uashingtoni është zotuar të tërheqë të gjitha forcat amerikane nga vendi deri në mesin e vitit 2021, në këmbim të garancive se Talebanët do të parandalojnë përdorimin e tokës afgane për terrorizëm ndërkombëtar dhe se do të negociojnë me sukses një marrëveshje me fraksionet rivale afgane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG