Lidhje

COVID 19, bien rastet e reja në Shqipëri, por rregjistrohen 5 viktima


Në Shqipëri 5 viktima të tjera nga Koronavirusi u rregjistruan në 24 orët e fundit, ndërsa u konfirmuan 112 raste të reja, shifra më e ulët që nga fillimi i muajit gusht, ndonëse testimet u shtuan ndjeshëm që prej javës së shkuar. Megjithatë, të shtruarit në dy spitalet ku trajtohen të sëmurët me shenja klinike, janë në rritje.

Ministria e shëndetësisë njoftoi se kanë humbur jetën “një 49 vjeçar nga Peqini, një 52 vjeçar nga Durrësi, një 72 vjecare nga Fieri, një 81 vjeçare dhe një 82 vjeçar nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese”. Në total që nga fillimi i pandemisë janë shënuar 271 të vdekur. Vetëm në 10 ditët e fundit ka patur 41 viktima.

Rastet e reja të konfirmuara nga 801 testime janë shumica në Tiranë (71 të prekur). Pjesa tjetër janë zbuluar në 14 qytete të ndryshme të vendit: 9 raste në Durrës, 5 raste në Elbasan, nga 4 raste në Krujë, Kurbin, Lezhë, Kavajë, 3 raste në Fier, 2 raste në Berat, nga 1 rast në Shkodër, Devoll, Has, Lushnje, Gjirokastër, Vorë.

Në të gjithë Shqipërinë janë 4001 persona aktivë, ku pak më shumë se gjysma, 2063 raste, vetëm në Tiranë. Kryeqyteti ndiqet nga Durrësi me 527 raste aktive, ndërsa në qarqet e tjera shifrat janë ndjeshëm më të ulta.

Situata duket se nuk po njeh ende përmirësim, pavarësisht rënies së rasteve të reja në 24 orët e fundit. Një fakt që dëshmohet dhe nga numri në rritje, nga dita në ditë, i personave të shtruar në spital. Deri pasditen e sotme “në spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" po trajtohen 173 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 18 në terapi intensive nga të cilët vetëm 8 pacientë janë të intubuar”, bëri të ditur ministria duke shtuar se “në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 42 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG