Lidhje

Komuniteti bjellorus në Çikago mbështet protestat në Bjellorusi


Bjellorusët vazhdojnë protestat kundër udhëheqësit Alexander Lukashenko, i cili fitoi një mandat të katërt në zgjedhjet që u komentuan gjerësisht si të manipuluara. Edhe këtu në Shtetet e Bashkuara, në qytetin e Çikagos, komuniteti bjellorus ka dalë në protesta.

Bjellorusët në Çikago kanë organizuar tubime në mbështetje të protestave në vendin e tyre. Ashtu si aktivistët në Bjellorusi, protestuesit në Çikago dënojnë Presidentin Alexander Lukashenko për manipulimin e zgjedhjeve të 9 gushtit dhe për faktin se ai nuk pranon të largohet nga pushteti, pasi ka qendruar në post për 26 vjet.

Thjesht është e padrejtë që një njeri të ketë gjithë pushtetin dhe të mos pranojë të largohet. Ja si u shpreh, citoj: ‘Nuk do ta lëshoj pushtetin. Vetëm po të më vrisni”, thotë një protestues.

Forcat bjelloruse të sigurisë kanë shtypur protestat paqësore, duke rrahur e arrestuar demonstruesit.

Imazhet nga këto reagime kanë nxitur bjellorusët në Çikago të ngrenë zërin:

Më dhëmb kur shoh këto pamje, prandaj kam dalë në protesta”, thotë një protestues.

Zhanna Charniauskaya, themeluese e një organizate jo-fitimprurëse në zonën e Çikagos, u bën thirrje ligjvënësve amerikanë të mbështesin popullin bjellorus.

Do të përpiqemi të kontaktojmë çdo përfaqësues për t’i bërë presion Kongresit të marrë hapa seriozë kundër regjimit autoritar të Lukashenkos” thotë një protestuese.

Ndërkaq, në Bjellorusi, zoti Lukashenko vazhdon të mbajë pushtetin me ngulm, përballë protestave masive që kanë mobilizuar dhjetëra mijëra vetë në vend.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG