Lidhje

Tjetër tubim masiv në Kenosha


Një tjetër tubim masiv zhvillohet pasditen e së shtunës në qytetin Kenosha, në shtetin Uiskonsën, pas një nate protestash paqësore, në vazhdën e disa të tillave të nxitura pas të shtënave të një afrikano-amerikani në shpinë nga një polic i bardhë.

Familja e viktimës Jacob Blake dhe aktivistë organizuan tubimin ndërsa njësitë e Gardës Kombëtare qëndrojnë pranë pasi kanë marrë urdhëra për të parandaluar trazira të mëtejshme që shpërthyen në Kenosha më herët gjatë javës në përgjigje të të shtënave.

29-vjeçari Blake u qëllua në shpinë shtatë herë të dielën, më 23 gusht, para fëmijëve të tij të vegjël, duke e lënë atë të paralizuar pjesërisht dhe duke e kthyer qytetin kryesisht të bardhë me 100,000 banorë, në skenën më të fundit të protestave mbarëkombëtare kundër akuzave për brutalitet të policisë dhe racizmit sistemik.

Zjarrvëniet, vandalizmi dhe aktet e tjera të dhunës shkatërruan një komunitet kryesisht pakicë të hënën në mbrëmje, një ditë para se një adoleshent, i cili shihet në një video duke shëtitur rrugëve me një armë, qëlloi për vdekje dy demonstrues dhe plagosi një të tretë.

Kyle Rittenhouse, 17 vjeç, u dorëzua në polici të mërkurën pranë shtëpisë së tij në shtetin Illinoi afër kufirit me shtetin Uiskonsën, pasi ai shfaqet në video duke provuar të dorëzohej në Kenosha disa minuta pas të shtënave. Dikush i thotë më pas të largohet nga rrugët ndërsa automjetet e policisë kalojnë pa e ndaluar.

Zoti Rittenhouse akuzohet për gjashtë vepra penale, përfshirë vrasje me dashje të shkallës së parë dhe mbajtje të paligjshme të armës së zjarrit nga një i mitur. Një nga avokatët e tij, Lin Wood, tha në Twitter se zoti Rittenhouse qëlloi demonstruesit për t’u vetëmbrojtur.

Prokurori i Përgjithshëm i shtetit Uiskonsën Josh Kaul tha më herët gjatë javës se oficeri Rusten Sheskey qëlloi ndaj Jacob Blake kur ai po i rezistonte arrestimit pasi policia iu përgjigj një thirrje nga një grua që njoftoi se i dashuri i saj hyri në shtëpinë e saj pa leje.

Kryeprokurori Kaul gjithashtu tha se policia më vonë zbuloi një thikë në dyshemenë e makinës që Blake ishte përpjekur ta merrte kur u qëllua. Avokati kryesor i Jacob Blake, Benjamin Crump, tha se klienti i tij nuk ishte i armatosur me thikë dhe nuk kërcënoi apo provokoi policinë.

Policët e përfshirë në incident kanë qenë në leje administrative, në pritje të një hetimi nga Departamenti i Drejtësisë në shtetin Uiskonsën.

Guvernatori Toni Evers mobilizoi më shumë trupa të Gardës Kombëtare të Uiskonsënit më herët gjatë javës për të ndihmuar agjensitë lokale të zbatimit të ligjit të rivendosin dhe ruajnë rendin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG