Lidhje

Pronat e Balilit, shumë apartamente dhe hoteli luksoz i kalojnë Shtetit


Në Shqipëri Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur konfiskimin e një seri pasurish të patundshme në pronësi të Klement Balilit, një nga emrat më të përfolur për trafikun ndërkombëtar të drogës

Njoftimi u bë sot nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, sipas së cilit, në bazë të ligjit antimafia, konfiskimi është shtrirë dhe ndaj pasurive të vëllait të Klement Balilit.

Mes pasurive që tani do të kalojnë nën administrimin e shtetit, janë 40 përqind e kuotave që të dy vëllezërit kanë patur mbi dy sipërfaqe të mëdha trualli në Sarandë, mbi hotelin luksoz po në këtë qytet, si dhe mbi 16 apartemente dhe një njësi tregtare.

Klement Balili u dënua me 15 vjet heqje lirie, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, do të vuajë vetëm 10 vite, në një burg të sigurisë së lartë.

Balili u gjet fajtor për të 4 akuzat e ngritura nga Prokuroria, “Trafikim të lëndëve narkotike, i kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Pjesmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe për “Pastrim parash”.

Emri i tij, doli gjatë një hetimi i cili u finalizua në fillim të muajit maj të vitit 2016, me një operacion të ndërmarrë nga autoritetet greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane, ku u sekuestruan mbi 670 kilogram marijuhanë në ishullin Zakintos në Greqinë lindore. Një numër i madh anëtarësh dhe drejtuesish të organizatës e cila dyshohej se drejtohej nga Balili u arrestuan në Greqi dhe në disa vende të tjera europiane, ndërkohë që ai vetë vetë mundi të shpëtojë.

Fillimisht ai u shfaq publikisht në Sarandë, duke mohuar akuzat, ndërsa më pas u zhduk pa lënë gjurmë deri kur u vetdorëzua në Janar të vitit të shkruar. Emri i tij, për shkak dhe të nofkës me të cilën e pagëzuan mediat greke, si “Eskobari i Ballkanit”, shkaktoi shumë zhurmë edhe për shkak të dyshimeve se gëzonte mbështetje politike.

Balili ishte drejtor i Drejtorisë rajonale të Transportit në Sarandë, i emëruar në 2014. Njëri nga nipat e e tij ishte zgjedhur në atë kohë kryetar i Bashkisë së Delvinës, në jug të vendit, nën siglën e LSI-së, ndërsa një vëlla i tij ka qenë gjithashtu koordinator i LSI-së po në Jug të vendit.

Vëllezërit Balili kanë patur aktivitete të shumta tregtare që nga transporti te ato të sigurisë së objekteve, apo peshkimit. Ndërsa në 2015 inauguruan një investim mjaft të shtrenjtë duke kthyer ish Kampin e punëtorëve në Sarandë në një hotel luksoz. Në ceremoninë e organizuar morën pjesë dhe zyrtarë të lartë shtetërorë të kohës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG