Lidhje

Shqipëri, Kodi Zgjedhor, shumica miraton në Komision propozimet e saj


Në Shqipëri, shumica kaloi propozimet e saj për ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor, të cilat kishin provokuar debate të forta, si për formulën e koalicioneve, të kundërshtuar nga opozita jashtëparlamentare, ashtu dhe për skemën që siç këmbëngul PS-ja garanton votën preferenciale të zgjedhësve, por të kritikuar nga opozita parlamentare sipas të cilës, propozimi nuk ka lidhje me listat e hapura.

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, të premten, socialistët u shfaqën me disa ndryshime që në thelb nuk prekin propozimin e tyre fillestare, ku renditja e emrave të kandidatëve në listë, është dhe përcaktuese në përzgjedhjen e deputetëve.

Ata pranuan kërkesën e opozitës parlmentare për të ulur pragun për numrin minimal të votave që duhet të arrijnë subjektet zgjedhore për të përfituar nga shpërndarja e mandateve nga 3 në 1 përqind, si dhe pjesërisht një tjetër propozim sipas të cilit kryetarit të një force politike i lihet e drejta që të mund të jetë në listat e katër qarqeve të ndryshme.

Në mbrëmje, Komisioni i Posaçëm parlamentar, ku merr pjesë dhe përfaqësuesi demokart Oerd Bylykbashi, përzgjodhi kandidaturat për strukturën e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Për drejtuesin e këtij Komisioni në garë mbeti zoti Ilirjan Celibashi, i cili e ka drejtuar dhe më parë institucionin që administron zgjedhjet, dhe zoti Ardjan Myslymaj. Më parë, me kërkesën e përfaqësuesit demokrat, siç parashikohet dhe nga procedura, eliminoi kandidatin e tretë, ish zëvendëskryeministrin e PD në qeverinë Berisha të vitit 2005, Ilir Rusmalin.

Për numrin dy të KQZ-së, ishte radha e shumicës të eliminonte një nga tre kandidaturat e opozitës. Socialistët zgjodhën të lënë jashtë Hysen Osmanajn, i cili ka qenë më parë pjesë e Komisionit të Zgjedhjeve. Në garë mbeti Lealba Pelingu dhe Agron Haxhimihali.

Komisioni parlamentar përzgjodhi gjithashtu dhe anëtarët e Komisionit Rregullator dhe atij të Ankesave dhe Sanksioneve, dy strukturat e reja që parashikohen nga Kodi i ri Zgjedhor.

Të gjithë kandidatët do të duhet t’i nënshtrohen tanimë, votimit në seancë parlamentare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG