Lidhje

Miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, reagon ambasada amerikane në Tiranë


Pas votimit sot në parlament të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, reagoi ambasada e SHBA-ve në Shqipëri.

“Sot, partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave, që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit. Ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, të cilat janë shtesë, dhe jo shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit, por është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik” - thuhet në deklaratën e SHBA-ve në Tiranë.

Në reagimin e ambasadës theksohet se “Shtetet e Bashkuara i kanë shtyrë udhëheqësit e Shqipërisë - brenda dhe jashtë parlamentit – për t’u angazhuar me njëri tjetrin në mënyrë transparente dhe përfshirëse për çështje me rëndësi kombëtare”.

Në të veçohet se ishte angazhimi pozitiv që prodhoi marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore.

“SHBA bëri të qartë që ajo marrëveshje duhet të respektohet dhe se çfarëdo masash shtesë duhen shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik” - deklaroi ambasada e SHBA-ve në Tiranë.

Selia diplomatike amerikane kujtoi se Shqipëria është anëtare e NATO-s, aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe Kryesuese e radhës e OSBE-së, ndaj është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë, duke filluar, por jo vetëm, nga ata në pushtet, për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG