Lidhje

Meta-Rama, shkëmbime replikash me tone të forta


Në Shqipëri presidenti Ilir Meta sulmoi sot sërish kryeministrin Edi Rama. Ai ju drejtua me një mesazh Asamblesë së Partisë socialiste e mbledhur sot pasdite në Tiranë, duke kërkuar nga zoti Rama të japë prova për deklaratat e tij se kreu e Shtetit ka patur takime me personazhe të krimit. Në të kundërt, zoti Meta u shpreh se nuk do të rreshtë në përpjekjet e tij për ta përzënë atë dhe nga Partia socialiste. Nga ana e tij zoti Rama u kundërpërgjigj duke thënë se “nuk merrem me video”, porse shkruar se Shqipëria nuk ka pse të durojë shkallimet e përditshme të kreut të Shtetit

Tanimë përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta janë kthyer thuajse në një rutinë gati të përditshme. Sot kreu i Shtetit, në cilësinë e një prej ish themeluesve dhe ish anëtarëve të parë të Partisë Socialiste, sulmoi sërish kryeministrin dhe kryetarin e kësaj force politike Edi Rama, përmes një mesazhi drejtuar Asamblesë socialiste, e mbledhur për të zgjedhur kryesinë e re.

Sipas tij zoti Rama, të cilin Partia socialiste siç shkruan “e bëri ministër, kryetar Bashkie e kryeministër, ka marrë peng këtë parti dhe po e keqpërdor stemën e PS-së për të bllokuar integrimin e Shqipërisë”. Ai shkruan më tej se figura të spikatur socialiste “janë zëvendësuar nga zoti Rama me trafikantë e kriminelë”.

Shqipëri, shkëmbime të reja akuzash mes presidentit dhe kryeministrit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:09 0:00

Pak ditë më parë nga salla e parlamentit, ishte kryeministri ai që akuzoi presidentin për lidhje me personazhe të botës së krimit, kur foli për “viktimat e OFL-së që kontaktohen nëpër skuta katundesh nga i pari i vendit”

Por sot në mesazhin e tij, zoti Meta, kërkoi të bëjë publike emrin dhe vendin e takimeve të përmenduar nga kryeministri duke deklaruar se në një rast të tillë do të jepte dorëheqjen, në të kundërt, kreu i Shtetit shprehet se do të merret cdo ditë me kryeministrin dhe “do t’u faktoj shqiptarëve lidhjet e tij të tmerrshme me botën e krimit, dëmet ndaj çështjes kombëtare”, dhe se “nuk do t’i ndahem, derisa ta përzemë së bashku edhe nga Partia Socialiste”.

Kryeministri zgjodhi të përgjigjet fillimist përmes një postimi në Twitter, duke i mëshuar sërish faktit se Shqipëria e cila sipas tij e ka bërë zotin Meta, kryeministër, Kryetar parlamenti dhe presidenti nuk ka asnjë borxh që të durojë “shkallimet e përditshme” të kreut të shtetit shkruan zoti Rama, ndërsa i cilëson “qesharake” fjalimet e presidentit në ceremonitë e shpeshta të dekorimeve të figurave të ndryshme historike të vendit.

Zoti Rama, ju rikthye polemikave me Presidentin Meta dhe në fjalën e tij të gjatë në Asamblenë e Partisë socialiste. “Iliri do video. Unë nuk merrem me video. Se ai kërkon video për skutat ku futet. Por është e sigurt që president në botë e në Shqipëri, as ka patur e as ka për të patur më që dergjet skutave për të bërë fushatë kundër qeverisë për zgjedhjet e ardhshme. Kë takon nëpër skuta, ai e di vetë, por fakti që futet nëpër skuta, lart e poshtë për të rrëzuar qeverinë sikur të ishte më i votuari dhe më i kërkuari nga populli opozitar, në krye të opozitës së bashkuar. është në vetvete kriminal”, deklaroi zoti Rama, ndërsa përdori tone mospërfillëse ndaj ftesës së zotit Meta për të dalë në një debat me të.

Asambleja e re socialiste, e zgjedhur nga kongresi i mbajtur në muajin shkurt, pritej të votonte, në respekt të Statutit, rifreskimin e strukturave të saj drejtuese. Por zoti Rama zgjodhi t’i kërkonte asamblesë që Kryesia aktuale të mbetej e pandryshuar dhe për një vit tjetër.

Mbledhja e sotme u mbajtj vetëm disa muaj para zgjedhjeve të 25 prillit, në të cilat socialistët pretendojnë të mbeten në pushtet për një mandat të tretë, ndërkohë që dhe forcat e tjera kryesore politike kanë nisur ethshëm përgatitjet për rrësimin e qeverisë socialiste. Dhe fjala e kryeministrit Rama u fokusua pikërisht te gara e ardhshme elektorale. Ai deklaroi se partia e tij do të dalë e vetme në zgjedhje. “Ne nuk kemi parti për t’u bërë aleat bashkë. Askush nga partitë politike nuk plotëson kushtet për të qenë aleati ynë. Aleati ynë janë njerëzit, koalicioni ynë është me njerëzit”, u shpreh zoti Rama.

Ai u ndal gjatë më pas, te Lëvizja socialiste për integrim, LSI, ish partneri në katër vitet e mandatit të parë. “Kam qenë partizan i bashkimit të së majtës. I një të majte me dy shpirtra, që u krijua nga një çarje e madhe e PS. Kam besuar se ishte rruga e duhur për të krijuar një pol të fuqishëm qeverisës. Dhe ajo që kam mësuar ka qenë, që të dyja herët, se problemi është zmadhuar derisa është bërë eksploziv si rezultat i një fakti të thejshtë. PS, dhe PD po ashtu nga ana e vet, është një parti e madhe që përtej të gjithë zakoneve të këqija që janë pjesë e organizmit të çdo partie, ka përgjegjësinë qeverisëse. LSI nuk ka lidhje me përgjegjësinë qeverisëse, ajo do të jetë pjesë e qeverisë për tu rritur në kurriz të shtetit. Sepse LSI është krijuar për të marrë sa më shumë pushtet duke marrë peng një nga dy të mëdhenjtë”, u shpreh zoti Rama.

Nuk vonoi reagimi Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi. “Edi Ramën tashmë nuk e shoqëron frika e humbjes, por e shoqëron frika e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sepse socialistët gjejnë veten tek Lëvizja Socialiste për Integrim. Nuk mund të gjejnë më veten aty ku ngjyra e Partisë Socialiste nga ngjyrë e kuqe është kthyer në ngjyrë mavi. Socialistët janë kthyer në ushqim për hienat e oligarkëve. Socialistët janë kthyer në ushqim për sektin e rilindjes. Socialistët janë kthyer në një viktimë e uzurpimit dhe grabitjes e vlerave të partisë socialiste”, theksoi zonja Kryemadhi, duke shtuar se “mezi por pres Edi Rama që të numëroj votat me datë 26 prill dhe për të parë buzëqeshjen tënde të ngrirë, edhe të ndonjë tjetri që e ka me merak LSI-në”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG