Lidhje

Zv/Sekretarja amerikane për Arsimin e Kulturën vizitë në Tiranë


Zëvendës Sekretarja amerikane e Shtetit për Arsimin dhe Kulturën, Marie Royce, ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, për të diskutuar rreth bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve në këto fusha.

Në takimin me kryeministrin shqiptar Edi Rama, zonja Royce vuri në dukje faktin se më shumë se 2340 shqiptarë kanë marrë pjesë në programet për Arsimin dhe Kulturën. Duke ju referuar presidentit Donald Trump, ajo theksoi se “shkëmbimet mes popujve krijojnë rrjetet për liderët e të tashmes dhe të ardhmes politike, të shoqërisë civile dhe të arsimit që do të krijojnë një botë të lirë dhe të begatë". Zyrtarja amerikane shtoi më tej se "programet e shkëmbimit janë një nga mënyrat më të mira për shqiptarët dhe amerikanët dhe njerëz nga vende të tjera për të mësuar kulturat e tjera, të krijojnë miqësi dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre”.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi praninë e saj, si një ngjarje të rëndësishme, duke qenë se Zëvendës Sekretarja Royce, është zyrtarja më e lartë amerikane në fushën e Arsimit dhe Kulturës, që ka vizituar ndonjëherë Shqipërinë. Zoti Rama tha se mes dy vendeve “ka ende shumë gjëra për të bërë dhe shpresoj shumë që vizita juaj të ndihmojë në këtë aspekt, për të bërë më shumë në të ardhmen e afërt dhe të largët dhe pa dyshim që ka shumë gjëra fantastike për të mësuar nga SHBA-të edhe në fushat e arsimit dhe kulturës”.

Zëvendës Sekretarja Royce, u prit dhe nga presidenti Ilir Meta, i cili vlerësoi rëndësinë që ka vizita e saj “për të konsoliduar e forcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe në fushën e arsimit dhe të kulturës. Duhet të synojmë, - theksoi Presidenti Meta - që sa më shumë studentë shqiptarë të arsimohen e edukohen në SHBA, por njëkohësisht, edhe krijimin e kushteve që ata të kthehen në vendin e tyre, për t'u bërë liderët e ardhshëm të tij. Shqipëria mirëpret, vijimin e angazhimit të përbashkët në drejtime të tilla, si shkëmbime të studentëve, akademikëve apo studiuesve të të dy vendeve”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG